MASHT

Ministrja Nagavci ka përgëzuar punën e mësimdhënësve dhe prindërve në Aargau të Zvicrës 

9 Qershor, 2025

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në Manifestimin përmbyllës të vitit shkollor 2024/25 të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, në kantonin Aargau të Zvicrës.

 
Ministrja Nagavci me këtë rast ka përgëzuar Lidhjen e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” për aktivitetin dhe veprimtarinë e tyre të pandalur, mësuesit për punën e palodhur dhe prindërit për angazhimin e tyre që fëmijët të vijojnë mësimin e gjuhës dhe kulturës shqipe, kudo ku ata jetojnë.
 
“Gjuha, kultura dhe traditat janë themeli i çdo kombi. Ato e veçojnë një komunitet dhe forcojnë ndjenjën e identitetit”, është shprehur Ministrja.
 
Ministrja Nagavci ka rikujtuar se, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë hapa konkret për të forcuar pozitën e diasporës shqiptare, me theks të veçantë tek arsimi dhe mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët jashtë vendit.
 
Ndër të tjera, ministrja Nagavci ka theksuar se gjatë mandatit katërvjeçar bashkë me Republikën e Shqipërisë janë hartuar tekstet e niveleve I, II dhe III për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare sipas standardeve më të larta, është lansuar platforma moderne për kërkime shkencore dhe rrjetëzim KRIS dhe KREN, si dhe janë mbështetur seminare të cilat kanë qëllim ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar.

Last modified: 9 Qershor, 2025