MASHT

Ministri Bytyqi mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 109 vjetorit të Kongresit të Manastirit

23 Nëntor, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, me ftesë të zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë, Hazbi Lika mori pjesë në shënimin e 109 vjetorit të Kongresit të Manastirit- Dita e Alfabetit të gjuhës shqipe.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm udhëheqës të lartë të Maqedonisë dhe intelektual të profileve të ndryshme nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.

Me këtë rast, ministri Bytyqi është shprehur se, ndjehet i privilegjuar që ka rastin që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës tu urojë të gjithë shqiptarëve këtë përvjetor të rëndësishëm të kulturës dhe historisë së kombit tonë.

“Qyteti i Manastirit për shqiptarët e ka një rëndësi të veçantë sepse sa herë që e përmendim këtë qytet ne e kujtojmë qytetin e alfabetit, qytetin e shkrimit shqip. Pra, ishte këtu 109 vite më parë kur elita e kulturës dhe arsimit shqiptar u mblodhën në rrethana jo edhe të lehta dhe e vunë themelin e gjuhës shqipe. Në këtë qytet, 109 vite më parë alfabeti i gjuhës shqipe e mori rrugën e duhur që të zhvillohej më tutje dhe ishte si një bazë e rëndësishme e integrimit të shqiptarëve në të gjitha trojet”, tha ministri Bytyqi.

Më tej, ministri Bytyqi tha se, kjo ngjarje ishte një angazhim i gjithë rilindësve tanë për integrimin e trojeve shqiptare dhe këtë më së miri e bënë elita e kulturës, ndërsa neve na mbetet që jo vetëm ta përkujtojmë këtë ditë të rëndësishme, por të bashkëpunojmë dhe të zhvillohemi brenda trojeve shqiptare, por edhe me fqinjët tanë të përbashkët.

Last modified: 25 Gusht, 2022