Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi është pritur në takim nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, me të cilin kanë biseduar për mungesën e kuadrove në fushën e energjetikës dhe gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme, brenda një periudhe afatmesme. Në takim ishin të pranishëm edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, dekani i Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Ministri Bytyqi, me këtë rast shprehu gatishmërinë e tij për të ndërmarrë veprime, të cilat do të rezultonin me gjetjen e një zgjidhjeje, qoftë përmes përkrahjes për studentët të cilët zgjedhin për të studiuar në njërin nga drejtimet e këtij fakulteti, shpalljen e këtij drejtimi si fushë të interesit të veçantë apo këmbimin e kuadrove nga vendet e rajonit.
Ministri Bytyqi e mirëpriti lajmin se në fushën e energjetikës do të ketë investime të mëdha, të cilat edhe shtojnë nevojën e përgatitjeve të kuadrove të reja në këtë drejtim ndërsa tha se, në këtë drejtim duhet të zhvillohen politika të reja arsimore, duke bashkëpunuar ngushtë me këshillin Shtetëror të Cilësisë dhe universitetet.
Ministri Bytyqi theksoi se, ekziston vullneti i Ministrisë së Arsimit për të mbajtur gjallë këto drejtime dhe për këtë do të angazhohen të gjithë akterët.
Last modified: 9 Qershor, 2022