MASHT

MINISTRI BYTYQI: DO TË BËJMË NJË STRATEGJI PËR ARSIMIN E LARTË NË KOSOVË

6 Shtator, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur sot në takim partnerët e projektit EUFORIA, në kuadër të programit ERASMUS+, të kryesuar nga koordinatori i projektit, Prof. Iraj Hashi nga Universiteti Staffordshire.

Ministri Bytyqi është njoftuar nga partnerët e këtij projekti për rëndësinë e projektit në funksion të ngritjes së kapaciteteve në arsimin e lartë. Po ashtu, në këtë takim, partnerët e projektit kanë folur edhe rreth çështjes së sistemit të financimit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

Ministri Bytyqi e vlerësoi lartë rëndësinë e projektit EUFORIA, për faktin se qëllimi i këtij projekti është të zhvillojë lidhjet midis universiteteve dhe ndërmarrjeve në Kosovë, në mënyrë që të përmirësojë mësimdhënien dhe mësimin, punësimin e të diplomuarve dhe të kontribuojë në financimin e arsimit të lartë.

Gjithashtu, ministri Bytyqi tha se tashmë jemi në fazën e formimit të një grupi të ekspertëve në bashkëpunim me mbështetësit tanë ndërkombëtarë, për të hartuar një strategji për funksionimin e institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat në Kosovë, e sigurisht që në kuadër të kësaj strategjie do të rregullohet edhe çështja e financimit të universiteteve.

Projekti EUFORIA është një konsorcium i gjashtë institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë (Universitetet e Prishtinës, Pejës, Gjakovës, Gjilanit dhe Ferizajt, si dhe Kolegjit Riinvest), dhe pesë universitete nga Unioni Evropian; Universiteti i Ankonës (Itali), Universiteti i Zagrebit (Kroaci), Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Munih (Gjermani), Universiteti Nottingham Trent dhe Universiteti Staffordshire (Mbretëria e Bashkuar).

Last modified: 10 Nëntor, 2022