MASHT

Ministri Bajrami vizitoi Kolegjin “Mehmet Akif”

31 Mars, 2016

Ministri i Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë z. Arsim Bajrami me bashkëpunëtorë , ka vizituar Kolegjin “ Mehmet Akif ” në Lipjan , me ç`rast është njohur nga afër me procesin mësimor në këtë institucion privat dhe mori pjesë në takimin fundit tradicional me maturantët e këtij institucioni , me q` rast ju ndanë mirënjohje nxënësve të dalluar

Ministri Bajrami me këtë rast tha se, deri më tani janë nxjerr shumë gjenerata nga Kolegji “Mehmet Akif”, njerëz të cilët janë lider të vendit, punëtorë të administratës publike dhe biznesmenë të suksesshëm.

“Ne kemi hapur derën në vitin 2000 për Kolegjin “Mehmet Akif”, si një mundësi e mirë e sjelljes së një mësimi të avancuar. Pra, një shkollë e avancuar, një gjimnaz i avancuar, që krijon njerëz të përgatitur dhe lider të së ardhmes. Kjo punë që bëhet në Kolegj siguron cilësi në sistemin arsimor. Është një model jashtëzakonisht i mirë i mësimit dhe i ndërtimit të një cilësie të përgatitjes së njerëzve”, u shpreh ministri Bajrami.

Ministri Bajrami po ashtu theksoi se një arsim cilësor parauniversitar është parakusht që nxënësit të jenë të suksesshëm edhe në arsimin e lartë.

“Jam i sigurt që brenda kësaj shkolle ju merrni njohuri të nevojshme dhe krijoni një bazë të mirë për të zgjedhur profesionin, për të zgjedhur atë çfarë ju dëshironi të studioni. Dyert e universiteteve të Kosovës dhe më gjerë do të jenë të hapura për ju sepse ju keni një bazë të mirë të mësimnxënies, duke marrë edhe mësime praktike”, theksoi ministri Bajrami.

Ministri Bajrami po ashtu tha se, Qeveria e Kosovës është duke punuar për të siguruar tri elemente për arsim cilësor: mësimdhënie të avancuar e të lidhur tërësisht me praktikën, mësimdhënie të lidhur me nevojat e tregut të punës dhe mësimdhënie të shekullit 21, përmes mësimdhënësve të përgatitur.

Ministri Bajrami , gjithashtu ka vizituar disa laborator  në këtë institucion, ku  nxënësit demonstruan njohuritë e tyre në  fushën e fizikës , kimisë dhe matematikës,  ndërsa një nga mësimdhënësit, demonstroi përparësitë dhe mundësitë që ofron Tabela Digjitale  në procesin e mësimdhënies.



Ndryshe ,  në këtë institucion mësimi në lëndët shkencore, duke filluar nga klasa e 5  zhvillohet në gjuhën angleze, ndërsa në lëndët shoqërore  në gjuhën shqipe .

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.