MASHT

Ministri Bajrami priti ekipin e nxënësve të Kosovës që kanë marrë pjesë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës

22 Korrik, 2016

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami priti në takim ekipin e nxënësve të Kosovës, të cilët kanë marrë pjesë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, që u zhvillua në Hong-Kong.

Ministri Bajrami ka vlerësuar lartë prezantimin e dinjitetshëm të nxënësve kosovarë në këtë garë, veçanërisht suksesin e nxënëses Doruntina Sylejmani, fituese e medaljes së bronztë. “Doruntina është amabasadori më i mirë i Republikës së Kosovës, sepse ka arritur që me shumë dinjitet të përfaqësojë sistemin arsimor dhe të tregojë se ne kemi të rinjë inteligjentë”, ka thënë ministri Bajrami.

Ministri Bajrami ka shprehur përkrahjen e vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit për nxënësit e talentuar, sidomos ata të cilët tregojnë sukses në matematikë, si një lëmi e cila flet për sukesin e përgjithshëm të sistemit arsimor të Kosovës.



Profesori Ramadan Limani, kordinator i ekipit të Kosovës, ka falënderuar ministrin Bajrami për pritjen e ekipit të Kosovës, që morën pjesë në Olimpiadën e 57- të të Matematikës, duke e vlerësuar si një sukses të jashtëzakonshëm prezantimin e ekipit nga kosovar. 

Ndërsa, fituesja e medaljes së bronztë, Doruntina Sylejmani foli për përvojën e saj nga pjesëmarrja në këtë garë. “Të fitosh medalje në një olimpiadë kaq prestigjioze patjetër që ka qenë një përvojë e mirë. Kam dëshirë që kjo medalje të jetë një shtysë për institucionet që të përkrahin sa më shumë matematikën në Kosovë”, tha nxënësja e Kolegjit Mehmet Akif, Doruntina Sylejmani.

Last modified: 29 Gusht, 2022