MASHT

Ministri Bajrami priti Ambasadorin e OSBE-së në Kosovë

22 Dhjetor, 2014

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka pritur sot në takim Ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, z. Jean Claude Schlumberger, me të cilin ka biseduar për prioritetet e tij në arsim dhe mundësitë e bashkëpunimit me këtë organizatë në fushën e arsimit.

Ambasadori Schlumberger uroi ministrin për detyrën e re në krye të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa premtoi ndihmën nga ana e OSBE-së për fushat dhe projektet që synon të realizojë MAShT.

Ministri Bajrami falenderoi OSBE-në për punën që ka bërë për shumë vite në Kosovë, e veçanërisht në fushën e arsimit. “OSBE është një partner shumë i rëndësishëm në sektorin e arsimit dhe ne presim një bashkëpunim shumë të afërt”, tha ministri Bajrami.

Ministri foli për prioritet që do të ketë në punën e tij në krye të këtij dikasteri. Ai theksoi se do të jetë i fokusuar sidomos në arsimin e lartë, e veçanërisht në autonominë e universiteteve. “Do të krijojmë universitete sa më autonome dhe do t’i lëmë të zhvillohen vet. Do të mundohemi që të krijojmë standardet kombëtare në këtë nivel të arsimit”, tha ministri Bajrami. Ai theksoi se do të punojë me përkushtim në integrimin e pakicave në sistemin arsimor të Kosovës në të gjitha nivelet e arsimit. “E dimë se reformat nuk bëhen me revolucion, por me hapa të vegjël dhe të kujdesshëm, në mënyrë që të kemi një arsim cilësor”.

Ambasadori Schlumberger dhe ministri Bajrami u pajtuan se OSBE dhe MAShT mund të bashkëpunojnë në shumë projekte të reja si në demokratizimin dhe të drejtat e njeriut, për arsimimin e komunitetit rom, ashkali, egjiptian dhe projekte tjera të rëndësishme për gjithpërfshirjen dhe ngritjen e cilësisë në arsim.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.