Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami mori pjesë në konferencën me temë: “Mbi praktikat e mira për fëmijët që kanë braktisë dhe janë jashtë shkolle”, organizuar nga UNICEF-i dhe Instituti Pedagogjik i Kosovës, në kuadër të programit “Për mundësi të barabarta në arsim”.
Ministri Bajrami me këtë rast tha se, Kosova ka një kornizë të zhvilluar legjislative dhe të politikave që janë të favorshme për regjistrimin dhe shkollimin e fëmijëve, porse gjithpërfshirja dhe braktisja e shkollave janë problem glogal, i cili mund të tejkalohet vetëm duke krijuar programe të veçanta stimuluese për të gjithë, në veçanti për fëmijët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë.
Ministri Bajrami theksoi se, vetëm duke investuar në sistemin arsimor të Kosovës arrijmë që fëmijët tanë të bëhen qytetarë të dobishëm për shtetin. Ndërsa, të mos investosh në gjithëpërfshirje, tha ministri, do të thotë të pajtohesh me braktisjen dhe elementet negative që sjellë ky fenomen.
Prioritet i Ministrisë së Arsimit në këtë mandat, theksoi ministri Bajrami, do të jetë promovimi i politikave të gjithëpërfshirjes, duke krijuar mundësinë që secili fëmijë përveç shkollimit, të gëzojë edhe aspektin human dhe social. Ndërsa, ai tha se MAShT në bashkëpunim me UNICEF-in do të punojnë në hartimin e strategjive dhe politikave të veçanta për të ndaluar braktisjen dhe migrimin.
Shefja e UNICEF- it në Kosovë, Laila Omar Gad tha se, progresi në eliminimin e braktisjes së shkollave mund të arrihet vetëm përmes mbledhjes së të dhënave dhe identifikimit të shkaqeve, të cilat i ndalojnë fëmijët të regjistrohen apo të ndërprejnë shkollimin.
Last modified: 30 Gusht, 2022