MASHT

Ministri Bajrami mori pjesë në ceremoninë e përurimit të dy shkollave të komunës së Malishevës

16 Shkurt, 2015

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami ka marrë pjesë në përurimin e dy shkollave në Komunën e Malishevës: shkollës në Vërmicë dhe asaj në Gulluboc.
 

Fillimisht ministri Bajrami u prit nga kryetari i Komunës së Malishevës, z. Ragip Begaj, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në sistemin e arsimit në Kosovë, me theks të veçantë infrastrukturën shkollore në funksion të ngritjes së cilësisë.

Gjatë përurimit të shkollës në Vërmicë, ministri Bajrami tha: “Jam i sigurtë se kjo shkollë do të krijojë kushte të mira për nxënësit, do të plotësojë kërkesat e kësaj treve dhe do ta keni mbështetjen e plotë që shkollat tona të jenë edhe qendra të mësimit, por edhe qendra të edukimit, në mënyrë që duke punuar bashkë me ju në ngritjen e cilësisë, t’iu ofrojmë nxënësve të kësaj treve një shkollim cilësor”.

Ministri Bajrami theksoi se vetëm në këtë mënyrë do të tregojmë se migrimi nuk është zgjidhje. “Ne jemi të vetëdijshëm për problemet që kemi, por e kemi obligim që përmes arsimit, të krijojmë gjenerata të përgatitura dhe gjenerata për të ardhmen e vendit”.

Ndërsa, gjatë përurimit të shkollës në Gulluboc, ministri Bajrami theksoi rëndësinë që ka ambienti shkollor për ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Ministri Bajrami shfrytëzoi rastin që nga këto ceremoni përuruese të urojë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për 7 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Last modified: 30 Gusht, 2022

Comments are closed.