MASHT

Ministrat Hoxhaj dhe Mujota nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi

28 Korrik, 2010

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Enver Hoxhaj dhe ai i Ministrisë së Forcës së Sigurisë (MFSK), Fehmi Mujota kanë nëshkruar të mërkurën një memorandum bashkëpunimi në bazë të të cilit përcaktohen kushtet dhe afatet themelore , në bazë të të cilave këto institucione pajtohen për realizimin e projekteve humanitare për mbajtjen e ligjëratave nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në objektet e shkollore parauniversitare.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, MASHT do të mbështesë në vazhdimësi MFSK-në në programet e veta shkollore për ngritjen profesionale të vazhdueshme në të gjitha nivelet.
Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ministrat Hoxhaj e Mujota kanë paralajmëruar përkrahje të ndërsjellët.

Në konferencën për media , Ministri i Arsimit Enver Hoxhaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në përmbushjen ë misionit që kanë institucionet më të larta të vendit.

Hoxhaj theksoi se pjesëtarët e FSK-së përveç intervenimeve në rastet e fatkeqësive natyrore dhe situatave tjera emergjente, tani do të ofrojnë njohuritë e tyre edhe me ligjërata nëpër shkolla. Ky është edhe një hap konkret drejt zbatimit me sukses të kurrikulumit të ri në bazë të të cilit do të kemi edhe lëndët ekstra kurrikulare.

“Në bazë të kësaj marrëveshje të gjitha shkollat tona do ta kenë mundësinë që nga pjesëtarët e FSK-së, nga stafi i MFSK-së dhe nga gjithë profesionistët që ka Republika e Kosovës që të përfitojnë në marrjen e informatave të reja”, ka thënë Hoxhaj.

I pari i arsimit në Kosovë është shprehur se shkollat janë edhe institucione ku merren njohuri të shumëfishta intelektuale dhe shkathtësi për jetën.

Kurse Ministri Mujota me këtë rast tha se se me anë të kësaj marrëveshje FSK do të ketë edhe një mundësi më shumë që të dëshmojë se ka kapacitete të plota operacionale në zbatimin praktik të shkathtësive dhe aftësive të fituara deri më tani.

“Nga sot MFSK dhe MASHT kalojnë në një kualitet të ri të bashkëpunimit të përkrahjes reciproke dhe jemi shumë të lumtur që kemi mundësi të përkrahim të gjitha autoritetet civile në realizimin e programeve të tyre”, ka thënë Mujota dhe ka shtuar se FSK për herë e më tepër po bëhet partner i rëndësishëm i zhvillimeve demokratike në vend.

Last modified: 26 Gusht, 2022