MASHT

Memorandum për lokacionin e Akademisë së Kosovës për Lidership në Mitrovicë

13 Prill, 2012

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja, kryetari i Komunës së Mitrovicës, z.Avni Kastrati, dhe kryetari i Organizatës Joqeveritare “Global Neighbors, Inc”, z.Donald F.Davis, nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës së Mitrovicës për për themelimin e Akademisë Kosovare për Lidership (AKL).

Ministri Buja, me këtë rast tha se kjo është një ditë e gëzuar për të gjithë qytetarët e Kosovës, e në veçanti për ata të Mitrovicës, në qytetin e të cilëve do të ndërtohet ky institucion i rëndësishëm për Kosovën . “Jemi të gëzuar dhe të ndërgjegjshëm edhe për faktin se ky institucion do të ofrojë njohuri të jashtëzakonshme me perspektivë e rëndësi të veçantë për Kosovën” .

Sipas këtij Memorandumi, komuna e Mitrovicës do t’i japë në shfrytëzim tokën (pronë komunale), Global Neighbors, Inc për themelimin e Akademisë Kosovare për Lidership.

Global Neighbors,Inc, e cila do ta themelojë AKL-në, është organizatë joqeveritare, jofitimprurëse me bazë në SHBA, e përcaktuar për qëllimet e dhënies së ndihmës humanitare dhe arsimore ndërkombëtare, e në mënyrë specifike me investim në Republikën e Kosovës që nga viti 2001.

Ndryshe , AKL-ja, do të jetë shkollë private jofitimprurëse, ndërsa plan-programet, të cilat do t’i ofrojë, janë ato të Republikës së Kosovës, me mundësi të avancimit të tyre në harmoni me rrjetin e ngjashëm arsimor në SHBA.

Realizimi i projektit do të bëhet në faza brenda një afati 3 deri 5 vjeçar nga dita e nënshkrimit të Memorandumit, ndërsa MAShT-i, ka përgjegjësinë ta licencojë këtë institucion kur t’i ketë përmbushur kriteret.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.