MASHT

MASHT-i prezantoi studimin e fizibilitetit për financimin e arsimit të lartë

25 Nëntor, 2010

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Banka Botërore (BB) kanë prezantuar sot studimin e fizibilitetit për financimin e arsimit të lartë, i cili përmban: financimin e përgjithshëm të arsimit të lartë dhe financimin prej shtetit tek institucionet e arsimit të lartë, mekanizmat institucional të financimit, financimin e studentëve, propozimet për legjislacion, rekomandimet për planin zhvillimor dhe strukturën model për marrëveshjen e performancës.

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, me këtë rast tha se qasja e Qeverisë së Republikës së Kosovës gjatë tërë kësaj kohe ka qenë që ta kemi në agjendë më shumë arsim për më shumë qytetarë dhe më shumë cilësi në sistemin tonë arsimor. “Mirëpo, kjo mund të jetësohet kur shteti siguron më shumë buxhet për sistemin tonë arsimor”.

Qëllimi jonë, tha ministri Hoxhaj, është që ta kemi një sistem arsimor, i cili i shërben mbi të gjitha zhvillimit ekonomik, mirëqenies së shoqërisë, reformimit të shtetit tonë dhe modernizimit të shtetit tonë të ri.

Ministri Hoxhaj përmendi faktin se Universiteti i Prishtinës e ka një autonomi të plotë menaxheriale dhe financiare, që nuk e kanë universitetet tjera në rajon. “Jemi të interesuar që edhe Universiteti i Prizrenit nga 1 janari 2011 ta ketë autonominë e njëjtë, e po ashtu, edhe dy universitetet tjera që janë në themelim e sipër, Universiteti në Gjilan dhe ai në Pejë, të cilat do të fillojnë në tetor të vitit 2011, janë të përfshira në formulën e re që parasheh ky studim i fizibilitetit”.

Rektori i UP-së, Mujë Rugova tha se ky projekt na jep shpresë dhe na krijon bazë për mënyrën dhe formën e arritjes më të shpejtë dhe më efikase të financimit të universiteteve publike. “Për funksionimin e mirë dhe ngritjen e cilësisë së mësimit bazë themelore është baza materiale, pastaj menaxhimi dhe radhitja e punës me mjetet që financohen nga shteti”, tha ai.

Ndërsa rektori i Universitetit të Prizrenit, Ronald Munch tha se rinia është pasuria më e madhe e këtij vendi. “MASHT-i ka bërë përpjekje të vazhdueshme që jo vetëm përmes reformimit të sistemit të financimit, ku do të gjenerojë të ardhura të reja, por edhe përmes shfrytëzimit të energjive njerëzore, të kontribuojë për të ardhmen e sigurt të kësaj rinie”, tha ai, ndërsa theksoi shpresën e tij që ky program të zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Eksperti nga Banka Botërore, Sigurd Hoellinger, i cili edhe ka qenë bartës i studimit, duke e prezantuar atë në detaje, ndër të tjera, theksoi propozimin në raport me planifikimin e rrugës buxhetore, i cili ndahet në dy faza. Faza e parë përfshinë një kohë prej 5 viteve dhe baza merret që shpenzimet mesatare për kokë studenti të rriten nga viti në vit sipas shifrave absolute, duke pasur parasysh gjithashtu edhe shkallën e inflacionit. Gjithashtu, të kihet parasysh edhe për mësimin që lidhet me hulumtime shkencore që është dhënë diku rreth 20-35 % si dhe fondet për infrastrukturën e nevojshme për mësimdhënie dhe kërkime shkencore”.

Gjithashtu, edhe për fazën e dytë, Hoellinger tha se parashihet një periudhë prej 5 viteve ku 50% e buxhetit të përgjithshëm duhet të përcaktohet nga formula, ndërkaq pjesa tjetër prej 50% të përcaktohet në bazë të marrëveshjeve për performancën e secilit universitet dhe institucion të arsimit të lartë.

Krahas me rishikimin e Ligjit për Arsimin e Lartë, Strategjinë për zhvillimin e arsimit të lartë 2011-2016 dhe Programin Kombëtar të Shkencës, ky studim përbën një ndër dokumentet më të rëndësishme në synimin për institucione të arsimit të lartë të fuqishme, dinamike dhe të krahasueshme me Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë.

Last modified: 26 Gusht, 2022