MASHT

MAShT fillon përgatitjet për Provimin e Maturës Shtetërore 2017

3 Maj, 2017

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka takuar koordinatorët për organizimin e Provimit të Maturës Shtetërore 2017, me ç’rast është shprehur i kënaqur për përzgjedhjen për herë të parë të koordinatorëve për mbarëvajtjen e procesit të Testit të Maturës dhe i ka ftuar ata që të marrin përgjegjësinë e organizimit të një Mature kredibile, profesionale dhe me rezultate reale të vlerësimit.

Ministri Bajrami theksoi nevojën e pasqyrimit real të gjendjes së suksesit të maturantëve, në mënyrë që të eliminohen dukuritë shqetësuese, të cilat e kanë përcjellë procesin e maturës ndër vite.

“Matura është test kombëtar dhe secila komunë ka nevojë të ketë vlerësim real, sepse duhet të dihet gjendja reale e nxënësve, në mënyrë që të ballafaqohen me sfidën e ngritjes së cilësisë. Jemi duke punuar që asnjë maturant të mos mbetet pa përfshirje, lehtësimin e maturës për shkollat profesionale dhe kemi zbritur pragun e kalueshmërisë në 40 përqind”, është shprehur ministri Bajrami.

Ministri Bajrami ka kërkuar nga koordinatorët që me përgjegjësi të madhe të marrin përsipër detyrat dhe përgjegjësitë edhe sa i përket përzgjedhjes së administratorëve.
Koordinatorët për organizimin e Provimit të Maturës Shtetërore, janë përzgjedhur nga DKA-të mbi bazën e kritereve të Komisionit Shtetëror të Maturës. 

Last modified: 26 Gusht, 2022