MASHT

MAShT angazhohet për integrim të nxënësve kroat në sistemin e arsimit të Kosovës

17 Prill, 2014

Zëvendësministrat e arsimit , z. Nehat Mustafa dhe z. Usmen Baldzhi, pritën një delegacion të ministrisë së arsimit të Kroacisë të udhëhequr nga zëvendësministrja znj. Ankica Njezhiç të shoqëruar nga ambasadori i Kroacisë në Kosovë z. Zoran Vodopija.

Në këtë takim u diskutua për shkollimin e të rinjve kroat në Kosovë dhe mundësitë e integrimit të tyre në sistemin e arsimit të Kosovës.

Zëvendësministri Mustafa tha se, MAShT është e angazhuar për t`iu dhënë mundësi të barabarta arsimimi të gjithëve që jetojnë në Kosovë, ndërsa theksoi se thellimi i bashkëpunimit Kosovë – Kroaci , si dy vende multikulturale është me interes reciprok.

” Do të bëjmë të pamundurën që të rinjtë kroat ti integrojmë në sistemin e arsimit të Kosovës” tha z Mustafa ndërsa shtoi se bashkëpunimin me Kroacinë në këtë drejtim është i domosdoshëm. Ndërkaq theksoi se nxënësit kroat të cilët kanë ndjekur mësimin në sistemin paralel serb , ju mundësohet të sprovojnë njohuritë e tyre në Maturën Shtetërore të Kosovës dhe pastaj edhe shkollimi i lartë .

Ambasadori i Kroacisë, z. Zoran Vodopija nga ana e tij tha se në të ardhmen do të shikohen mundësitë për ndarjen e më shumë bursave për studentët kroat, të cilët do të studionin gjuhën dhe kulturën kroate, si dhe lëmi tjera që nxisin zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ndërsa, zëvendësministri Usmen Baldzhi u shpreh se, MAShT-i, ofron mundësi shkollimi në gjuhën amë edhe për të rinjtë e komuniteteve, ndërsa theksoi se është i nevojshëm këmbimi i përvojave , bashkëpunimi i shkollave kroate me shkollën fillore në Janjevë, këmbimi i vizitave reciproke dhe forma tjera të bashkëpunimit.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.