Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizituan sot dy prej projekteve arsimore që po realizohen në kryeqytet, shkollën e re në ndërtim në lagjen “Prishtina e Re” dhe çerdhen e re në lagjen Medresese.
Në lagjen “Prishtina e Re”, afër lagjes amerikane, po ndërtohet një shkollë e re moderne me kapacitet për 800 nxënës. Ky projekt, me sipërfaqe prej 6,430 m², është investim i MASHTI-t në vlerë prej 3,323,232.32 euro, dhe pritet të përfundohet brenda 36 muajve, me punimet që kanë nisur në janar të këtij viti.
Kjo shkollë do të ofrojë kushte të avancuara për mësimdhënie dhe mësimnxënie, me pajisje bashkëkohore, mjedise të përshtatshme dhe një infrastrukturë që përmbush standardet moderne të arsimit publik.
Në kuadër të vizitës, kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci inspektuan edhe punimet në çerdhen e re në ndërtim pranë Medresesë. Projekti është investim i MASHTI-t në vlerë prej 743,347.74 euro, me një sipërfaqe prej 1,550 m² dhe një kapacitet prej 120 fëmijësh. Punimet pritet të përfundojnë deri në tetor 2025.
Ministrja Nagavci theksoi se këto projekte janë dëshmi e përkushtimit institucional për të rritur qasjen dhe cilësinë në arsimin publik, duke filluar që nga edukimi parashkollor deri te arsimi fillor dhe i mesëm.



Last modified: 1 Korrik, 2025