MASHT

Kryeministri Kurti dhe ministrja Nagavci përuruan çerdhen e rindërtuar “Albiona Asllani” në Shtime

2 Qershor, 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu përuruan çerdhen e rindërtuar “Albiona Asllani” në Komunën e Shtimes.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Kurti, theksoi rëndësinë që Qeveria i kushton edukimit të hershëm dhe zhvillimit të fëmijëve në moshë parashkollore. Ai vlerësoi investimin në çerdhen “Albiona Asllani” si dëshmi konkrete të përkushtimit institucional për të krijuar kushte më të mira për fëmijët kudo në Kosovë.

Kryeministri Kurti u shpreh se krijimi i ambienteve të sigurta, të pastra dhe të dashura për fëmijët tanë është investim në themelet e shoqërisë sonë. Fëmijët janë e ardhmja jonë, dhe ne duhet të punojmë çdo ditë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për ta.

Ministrja Nagavci tha se kjo ditë është e veçantë për fëmijët dhe prindërit e komunës, duke theksuar rëndësinë që kanë vitet e hershme të fëmijërisë në zhvillimin e përgjithshëm të tyre. Ajo theksoi përkushtimin e saj si Ministre për të siguruar kushte të dinjitetshme dhe cilësore për të gjithë fëmijët dhe nxënësit në Kosovë.

Ministrja Nagavci shtoi se rindërtimi i kësaj çerdhe është rezultat i bashkëpunimit ndërinstitucional mes Ministrisë së Arsimit, Komunës së Shtimes, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, USAID-it dhe Ministrisë së Bujqësisë. Investimi total nga MASHTI kap vlerën e 129,845.14 eurove, në një hapësirë prej 340 m², e cila do shfrytëzohet nga 40 fëmijë për mësim dhe lojë.

Aktualisht në këtë institucion janë të angazhuara tetë edukatore të kualifikuara dhe të përkushtuara për edukimin e fëmijëve. Kjo është çerdhja e pestë gjatë këtij mandati qeverisës për fëmijët e kësaj komune.

Të pranishëm në ceremoni ishin familjarë të Albiona Asllanit, deputetë të kësaj ane, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, fëmijë, edukatorë, prindër dhe qytetarë të shumtë.

Last modified: 2 Qershor, 2025