MASHT

Kosova dhe Shqipëria angazhohen për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë

14 Shkurt, 2018

Në Tiranë është mbajtur takim i përbashkët i Ministrisë së Arsimit , Shkencës dhe Teknologjisë, e përfaqësuar nga zëvendësministri i Arsimit, Heset Sahiti, Ministrisë për Diasporë dhe Investimeve Strategjike të Kosovës, e përfaqësuar nga ministri Dardan Gashi, Ministrisë për Diasporë të Shqipërisë, e përfaqësuar nga ministri Pandeli Majko, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Rinisë dhe Sportit të Shqipërisë, e përfaqësuar nga ministrja Lindita Nikolla dhe zëvendësministrja Besa Shahini.

Në këtë takim, u fol për sukseset dhe sfidat  lidhur me organizimin e mësimit plotësues në diasporë, ndërsa u theksua nevoja për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror  dhe koordinimin e aktiviteteve në këtë drejtim.

Po ashtu, gjatë këtij takimi, u shqyrtuan mundësitë dhe modalitetet e implementimit të marrëveshjeve të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë të nënshkruara nga ministrat përkatës në vitin 2015  dhe 2017 lidhur me bashkëpunimin e ndërsjellë, financimin dhe organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë. 

Zyrtarët e lartë të dy shteteve, vendosën që të themelohet një këshill, apo qendër e përbashkët koordinuese, me qendër në Prishtinë, me qëllim të rritjes së efikasitetit të veprimit konkret në të ardhmen.

Gjatë këtij takimi, u bisedua edhe për finalizimin e kurrikulës së përbashkët për diasporë, tekstet mësimore dhe Seminarin tradicional për mësimdhënësit e diasporës dhe aktivitete tjera të përbashkëta.

Gjatë ditës së sotme janë mbajtur edhe takime të grupeve punuese, ekspertëve për hartimin e kurrikulës së përbashkët për diasporë,  e cila së shpejti do të finalizohet.

Last modified: 24 Gusht, 2022