MASHT

Intervistë me Ramë Bujën, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhënë gazetës Tribuna

2 Maj, 2014

Shqiptarët do të mësojnë me një planprogram Mendohije Krelani

Prishtinë, 1 maj- Nuk është e rëndësishme që Shqipëria ka mbi 100 vjet shtet, por e rëndësishme është që Kosova dhe Shqipëria, përveç Abetares, do të kenë edhe kurrikulën e përbashkët.
Kjo kurrikulë do të jetë e përmasave kombëtare. Kështu thotë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja. Në intervistë për Tribunën, ministri thotë se këtë vit pritet të ndryshohet edhe Ligji për Arsimin e Lartë, për të cilin ai thotë se nuk do të jetë diskriminues as për institucionet e Arsimit të Lartë Publik, por as për ato private.

Tribuna: Gjatë këtij muaji pritet të nënshkruhet kurrikula e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo?

Buja: Në fakt jo vetëm për mua si ministër, por për më shumë është një privilegj i jashtëzakonshëm që në kohën time të nënshkruaj diçka e cila është e përmasave kombëtare. Por besoj që edhe për kombin në përgjithësi e për gjithë gjeografinë shqiptare, sepse në fakt nxënësit që nga Saranda e deri në Podujevë e tutje, do të mësojnë me të njëjtin libër, me të njëjtin planprogram dhe me të njëjtin mësim. Kjo sepse kurrikula përcakton shumëçka edhe metodën, mënyrën, mjeshtërinë edhe gjithë ato tjerat. Andaj, kjo do të thotë shumë për gjithë gjeografinë shqiptare.

Tribuna: Si është e mundur që Shqipëria që ka mbi 100 vjet shtet, merr kurrikulen e Kosovës?

Buja: Kjo do të thotë shumë sepse Kosova dhe Shqipëria po e unisojnë, po e bashkojnë kurrukulën dhe nuk është me rëndësi kush nga kush merr. Por, besoj që të gjithë i marrin të mirat e mundshme që i ka kurrikula e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Andaj e rëndësishme është që ne po i bashkojmë këto dhe po bëjmë diçka që është dashur të bëhet edhe më herët. Por është mirë që po e arrijmë tani, së paku.

Tribuna: Sa ka qenë sfiduese kurrikula e re për Kosovën, derisa nga ministrja e Arsimit të Shqipërisë, është vlerësuar si një kurrikulë që i afron këto dy shtete me vendet e rajonit dhe botës?

Buja: Kjo mbase nuk ka qenë aq sfiduese për faktin që ne e kemi pasur këtë vit që po e kalojmë, pilotimin në dhjetë shkolla dhe kjo ka shkuar mirë e mbarë, me përjashtim të gjuhës angleze që në një shkollë na ka çaluar pak. Në vitin që vjen do t’i kemi 114 shkolla në pilotim, për të hyrë në vitin tjetër të radhës në gjithë hapësirën shqiptare. Kështu që ajo do të jetë sfidë e kohës, por është e rëndësishme dhe shumë domethënëse për ne që pasi kemi bërë një kurrikulë që është e përmasave që dijen e nxënësve tanë, e barazon me dijen e nxënësve evropianë kudo.

Tribuna: Kosovën dhe Shqipërinë e bashkon edhe Abetarja. Është kjo një vazhdimësi e bashkëpunimit me shtetin shqiptar?

Buja: Çdo alfabet nisë me shkronjën A, dhe ne e nisëm me Abetaren, për të vazhduar me të tjerat. Dhe jam shumë i lumtur që unë në cilësinë e qeverisjes me Ministrinë e Arsimit, po përmbyllim me diçka që është përtej planave të mia personale, por mbase edhe të ministrisë.

Tribuna: Gjatë këtij muaji pritet të realizohet edhe projekti ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve të moshave 15 vjeçare, PISA, që do të realizohet për herë të parë në Kosovë. Si e vlerësoni këtë ?

Buja: Po kjo është një e arritur tjetër e radhës për faktin që edhe ky vlerësim do të bëhet për nxënësit tanë, do të jetë një vlerësim që përsëri do të na tregojë se ku jemi me nivelin e dijës sonë. Dhe në fakt po hyjmë seriozisht siç synojmë në atë botën e madhe në Evropë, apo ku i kemi pozicionet. Dhe unë besoj se nga vlerësimet paraprake që i kemi bërë, kjo na jep shenja të mira.

Tribuna: Këtë vit nga Qeveria janë marrë disa vendime në përkrahje të studentëve. Do të kenë studentët edhe më tutje përkrahjen institucionale?

Buja: Absolutisht po. Kjo është një ndihmë që është bërë për gjithë studentët e të gjitha niveleve, duke u nisur nga bachelor, master dhe doktoratë. Përkrahja e studentëve dhe e atyre që janë të gatshëm të arrijnë ose të grumbullojnë dije për veten dhe për Kosovën, jemi të gatshëm gjithmonë t’u ndihmojmë. Dhe kjo nuk do të pushojë me kaq.

Tribuna: Pritet ndryshimi i Ligjit për Arsimin e Lartë. Çka konkretisht vlerësoni se duhet ndryshuar në këtë ligj ?

Buja: Ajo që duhet ndryshuar në esencë, pa e specifikuar nen për nen dhe pikë për pikë, është fakti që Ligji për Arsimin e Lartë duhet të jetë ligj jo diskriminues për të gjitha institucionet e Arsimit të Lartë, qofshin publike apo private. Dhe pastaj të specifikoj gjërat e tjera, të cilat janë kërkuar nga institucionet publike dhe private që të futen në ligj. Në mënyrë që ky ligj të jetë funksional dhe implementues me lehtësi të madhe për të gjitha institucionet.

Tribuna: Mendoni që ligji i ri do jetë më i suksesshëm dhe kur pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës?

Buja: Unë besoj që ky ligj me këto përplotësime që janë, do të jetë gjithsesi një ligj më i implementueshëm dhe do të favorizojë të gjitha aktorët që janë pjesëmarrës në gjithë këtë fushë. Por, aprovimin nuk mund ta them për faktin që përveç dy të tretave të shumicës që duhet të bëhen si votë, duhet të jenë edhe dy të tretat e pakicave. Gjë që na munguan herën e parë dhe të dytën, kur insistuam që ta qesim në votim. Kështu që besoj që nuk do të duhej të shkonte larg për t’u votuar. Janë disa telashe politike që ne i dimë bashkë.

Tribuna: Gjithashtu do të ndryshohet edhe Ligji për Maturën. Pse duhet ndryshuar ky ligj?

Buja: Ligji për Maturën përveç disa specifikave që janë më të vogla, ishte insistimi që të bëhet ndryshimi për faktin që nxënësit tanë mbetën pa diploma, vite të tëra derisa të mos e realizojnë dhënien e provimit të maturës. Andaj, ne patëm qëllim që ta bëjmë më fleksibil këtë ligj edhe testi i maturës të jetë një test, gati sikurse testi i arritshmërisë. Për faktin që nxënësit që e mbarojnë shkollën e mesme, të marrin të gjithë diploma. Ndërsa, pikët që realizojnë varësisht prej shumë pikëve që kanë, ata mund të kenë mundësinë më të lehtë ose më pak të lehtë për t’u regjistruar në fakultetet e ndryshme.

Tribuna: Ministër, këtë vit përfundojnë shkollën dy gjenerata, ajo e 12 dhe e 13, ku janë rreth 50 mijë të rinj që do t’i nënshtrohen testit të maturës. Ata pritet të aplikojnë edhe për studime. Sa jeni të përgatitur për këtë? 

Buja: Ministria është e përgatitur tërësisht për të realizuar këtë sfidë që vjen me 46 mijë e 200 studentë. Dhe jemi të kënaqshëm që tanimë kemi institucione të shumta publike, pra të arsimit të lartë, që e absorbojnë këtë numër të madh të nxënësve për t’u bërë studentë. Dhe një pjesë e arsimit të lartë të arsimit privat, që po kështu marrin një numër të caktuar të tyre.

Tribuna: Sa të suksesshëm e vlerësoni punën tuaj si ministër pasi këtë vit priten zgjedhjet?

Buja: Nuk do të flisja në asnjë mënyrë keq për këtë që kam bërë sepse e kam bërë me shumë ndërgjegje e me shumë përkushtim. Dhe nuk e kam konsideruar asnjëherë si detyrë, por si mision timin për ta avancuar arsimin në Kosovë. Dhe unë besoj që ky mandat ka qenë shumë i suksesshëm duke u nisur në esencë dhe në strukturë. Sepse janë bërë në mënyrë shumë përmbajtjesore. Ju e dini që në këtë mandat, kam nënshkruar vendimin për themelimin e katër universiteteve publike, është realizuar Abetarja. Dhe tani po realizojmë edhe kurrikulen e përbashkët me Shqipërinë. Janë ndërtuar jo më pak se 108 shkolla, janë sjell dhe po vazhdojnë të sillen 150 tituj të librave shkencorë. Janë licencuar më shumë se 20 mijë arsimtarë, janë përgatitur më shumë se 12 mijë njerëz me kualifikim të avancuar të arsimtarëve, e shumë suksese tjera.

Last modified: 1 Shtator, 2022

Comments are closed.