Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizituan sot Qendrën e Kompetencës në komunën e Skënderajt, ku u shënua një moment historik për arsimin profesional në Kosovë me përfundimin e provimeve të para praktike në kuadër të modelit të arsimit dual.
Në Qendrën e Kompetencës në Skenderaj, 16 nxënës të profilit murator përfunduan me sukses provimin praktik, duke përfaqësuar gjeneratën e parë të sistemit dual të arsimit profesional në vend. Ky model, i cili ndërthur teorinë me praktikën në kompani partnere, ka për qëllim të përgatisë të rinjtë për tregun e punës dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, gjatë vizitës në këtë qendër, uroi nxënësit për arritjen dhe theksoi rëndësinë e një arsimi të orientuar drejt tregut të punës. Ai tha se “është thelbësore që nxënësit tanë që punojnë të jenë të kualifikuar” dhe për këtë falënderoi Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe partnerët ndërkombëtarë.
MAShTI rikonfirmon përkushtimin për zgjerimin e modelit dual në të gjitha komunat e Kosovës dhe për mbështetjen e të rinjve në ndërtimin e një të ardhmeje profesionale të qëndrueshme.

Last modified: 22 Maj, 2025