MASHT

Është vendosur gurthemeli i shkollës së re “Nonda Bulku” dhe i çerdhes për fëmijë në Mitrovicë të veriut

8 Tetor, 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrin në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, si dhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, morën pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të shkollës së re “Nonda Bulka” dhe të çerdhes për fëmijë në lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicë të Veriut.

Këto projekte janë investim i Ministrisë së Arsimit, me vlerë 4,152,963.50 euro, që përfshin ndërtimin e dy objekteve të reja arsimore moderne, me kushte të përshtatshme për zhvillimin e mësimdhënies dhe edukimit të hershëm.

Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e këtij investimi në përmirësimin e kushteve të arsimit në veri të vendit, duke shtuar se punimet do të zgjasin 18 muaj, me synimin që shkolla dhe çerdhja të përurohen në pranverën e vitit 2027. Ai falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar në nismën dhe realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Ministrja Nagavci theksoi përkushtimin e MAShTI-t për të siguruar qasje të barabartë në arsim për të gjithë fëmijët e Republikës së Kosovës, duke njoftuar se në Mitrovicën e Veriut janë në fazë përgatitore edhe projektet për ndërtimin e një shkolle tjetër të re.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, e cilësoi këtë ditë si historike për komunitetin lokal, duke theksuar se ndërtimi i këtyre dy objekteve arsimore do të ndikojë në mënyrë të ndjeshme në përmirësimin e jetës dhe zhvillimit të fëmijëve në këtë pjesë të vendit.

Objekti i shkollës do të ketë një sipërfaqe prej 2,574 metrash katrorë dhe do të mundësojë shkollimin për rreth 400 nxënës, ndërsa objekti i çerdhes do të ketë sipërfaqe prej 761 metrash katrorë, me kapacitet për rreth 70 fëmijë.

Në kuadër të kompleksit do të ndërtohen nëntë klasa për shkollën fillore dhe një klasë për çerdhen, si dhe bibliotekë, sallë arsimtarësh, kabinete mësimore e hapësira ndihmëse, duke garantuar standarde bashkëkohore për mësimdhënie dhe mësimnxënie cilësore.

Last modified: 8 Tetor, 2025