U vu gurthemeli për ndërtimin e shkollës së re në Lumbardh të Deçanit

13 Shtator 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, bashkë me kryetarin e Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të shkollës fillore “Lan Selimi” në Lumbardh të kësaj komune.

Me këtë rast, ministri Bytyqi u shpreh i kënaqur që gjendet në mesin e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve për të vënë gurthemelin për një objekt të ri shkollor, për të cilin uroi të gjithë banorët e kësaj ane.

Ministri theksoi faktin se ka pasur investime të mëdha në komunën e Deçanit, ndërsa përmendi kontributin e deçanasve në luftë, heronjtë, dëshmorët dhe luftëtarët, të cilët kanë bërë që sot të kemi mundësi ta gëzojmë lirinë dhe shtetin.

“Gradualisht, ne po e kompletojmë një infrastrukturë të mirë edhe në këtë fshat dhe jam i sigurtë se po krijohet një ambient me standarde të larta, që edukimi dhe arsimimi i këtyre fëmijëve të jetë i barabartë me të gjithë të tjerët kudo”, tha Ministri.

Ministri Bytyqi theksoi se krahas infrastrukturës, duhet ta ngrisim cilësinë në arsim dhe t’i përgatisim fëmijët tanë për të ardhmen e vendit tonë dhe tha se këtë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku, duke përfshirë edhe prindërit si një prej faktorëve më të rëndësishëm.