MASHT

U SHËNUA 1 VJETORI I FUSHATËS “ARSIMI NË DORËN TËNDE”

1 Nëntor, 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në ngjarjen publike “Roli i prindërve në arsimimin e fëmijëve”, të organizuar nga MAShT dhe GIZ, me të cilën njëherësh është shënuar përvjetori i parë i ”Fushatës për Arsim më të Mirë“.

Në këtë ngjarje, ka marrë pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, përfaqësues të GIZ-it dhe të partnerëve tjerë ndërkombëtarë mbështetës të fushatës, deputetë të Komisionit Parlamentar për Arsim, udhëheqës të SBAShK-ut, përfaqësues të Këshillit të Prindërve të Kosovës, si dhe nxënës nga shkolla të ndryshme të Kosovës.

Kjo ngjarje publike është fokusuar në promovimin e mëtejshëm të objektivave kryesore të fushatës për arsim më të mirë të lansuar një vit më parë me moton ”Arsimi në dorën tënde”, e cila ka për qëllim parësor të bëjë arsimin prioritet në Kosovë, të lobojë më tutje mbi kërkesat e Zotimit për Veprim të Përbashkët, me fokus të veçantë promovimin e angazhimit prindëror në edukimin e fëmijës.

Me këtë rast, ministri Bytyqi falënderoi GIZ-in si partnerin kryesor në arritjen e synimeve për arsim më të mirë në Kosovë, ndërsa tha se çdo fushatë e ka rëndësinë e vet, por të bërit fushatë për të pasur një arsim më të mirë, është fushata më e rëndësishme që mund ta ketë vendi ynë.

Ministri Bytyqi foli për të arriturat që janë shënuar që nga hapja e kësaj fushate, duke filluar nga diskutimet e shumta edhe me nivelin lokal dhe shkollat për të eliminuar çdo dobësi që ekziston në sistemin tonë arsimor dhe për të trasuar një sistem me standarde të larta.

“Gjatë kësaj periudhe kemi bërë një fushatë të mirë për vetëdijësim të përgjithshëm që arsimi të jetë prioritet kryesor në Kosovë dhe ja kemi arritur, sepse vet rritja e buxhetit dedikuar arsimit e tregon këtë. Pastaj, kemi identifikuar cilët janë akterët kryesorë që mund të ndihmojnë ndryshimet për të cilat ka nevojë sistemi arsimor në Kosovë”, tha Ministri Bytyqi.

Jemi të bindur, theksoi Ministri, se kur të bëhemi të gjithë bashkë, çdo dobësi që e kemi mund ta eliminojmë dhe për këtë arsye sot i kemi ftuar prindërit që ta kenë një rol shumë të rëndësishëm dhe të jenë pjesëmarrës aktiv në shkollë.

Ministri Bytyqi theksoi se bashkë me GIZ-in dhe parnerët tjerë janë identifikuar katër shtylla kryesore për vitin 2019, të cilat do ta bëjnë arsimin më cilësor dhe në kuadër të këtyre katër shtyllave, janë dy shtylla kryesore për të cilat një rol të rëndësishëm duhet ta luajnë prindërit, pra do të kenë rol të rëndësishëm në  menaxhimin e përbashkët të shkollës dhe do të jenë këshilltarë të vazhdueshëm për metodat e reja, të cilat po planifikohet të aplikohen në shkolla.

“Fëmijët tanë janë fëmijë të Evropës, fëmijë perëndimorë. Ata duhet të edukohen në këtë frymë. Për këtë ne jemi të vendosur dhe jam i sigurt se do t’ia arrijmë të gjithë së bashku”, tha ministri Bytyqi.

Ndërsa, kryeministri Haradinaj tha se arsimi është vendosur si një nga prioritetet kryesore të jetës dhe kjo vërtetohet edhe nga fakti se buxheti i vitit që vjen, parasheh shumën prej 300 milionë euro dedikuar arsimit, pra 12 për qind më shumë se këtë vit, ndërsa shtoi se njëkohësisht është rritur edhe buxheti nëpër komuna dedikuar arsimit në vlerë 185 milionë euro, apo 14 milionë më shumë se këtë vit.

Ndërsa, Boris Scharlovski, udhëhqës i projektit CDBE të GIZ, ndër të tjera theksoi shumë të arritura në arsim prej kohës kur ka filluar fushata, ndërsa tha se duhet t’i bashkojmë forcat për të pasur një arsim më të mirë.

Fushata “Arsimi në dorën tënde”, do të vazhdojë edhe më tutje me aktivitete të ndryshme, të cilat kanë për qëllim përfshirjen e të gjithë akterëve për ngritjen e cilësisë në arsim.

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.