MASHT

U mbajt Konferenca e parë për Sigurinë e Fëmijëve në Internet

31 Maj, 2011

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Microsoft-it, USAID-it, dhe SëissContact-it, shprehën nevojën e përfshirjes së teknologjisë informative nëpër shkolla, për t’u siguruar nxënësve dhe mësimdhënësve qasje në programe e kurrikula, që ndihmojnë integrimin e plotë të teknologjisë në procesin e mësimit. Kjo nevojë u theksua në Konferencën e parë për Sigurinë e Fëmijëve në Internet.

Nehat Mustafa, zëvendësministër i Arsimit, pasi që theksoi rëndësinë e madhe që ka mbajtja e një konference të tillë, shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, respektivisht të MASHT-it, për zhvillimin e teknologjisë informative në sistemin arsimor, pasi që e konsiderojnë atë si potencial të rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.

Por, Mustafa tha se duhet të vetëdijesohet e gjithë shoqëria edhe për rreziqet që mund të bartë interneti, edhe pse tha se dukuritë e ndryshme negative që vijnë si pasojë e përdorimit të internetit nuk janë hulumtuar sa duhet në Kosovë dhe kjo mbetet sfidë për të ardhmen. “MASHT-i është shumë i interesuar që të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtar që janë të gatshëm të kontribuojnë në këtë drejtim”, tha ai

Ndërsa, Keith Prneton, përgjegjës i projektit të USAID-it për arsimin fillor në Kosovë, tha se me anë ët programit të tyre po ndihmojnë ministrinë e arsimit me qëllim që të zhvillojnë shkathtësitë tek nxënësit, duke përfshirë përdorimin e internetit në shkolla.

Ilijanko Gagovski, menaxher i Microsoft-it në Maqedoni, tha se fëmijët mund të jen pre e keqpërdoruesve të internetit. Ai tha se programi i Microsoft-it për sigurinë e fëmijëve në internet, ndihmon prindërit për të mbikëqyrur fëmijët e tyre gjatë përdorimit të internetit. “Ideja është që të krijojmë një koncept së pari për mësimdhënësit, në mënyrë që ata të dinë për rreziqet që mund të dalin për fëmijët. Me anë të këtij programi do të bëhet edhe vetëdijesimi nëpër shkolla, duke dhënë mesazhe përmes posterëve dhe lojërave për mënyrën e përdorimit të internetit.”

Për të ndihmuar prindërit në mbikëqyrjen e fëmijëve, Microsoft ka ndërtuar një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh për sigurinë familjare. Këto u japin prindërve kontroll më të madh mbi atë në të cilën fëmijët mund të kenë qasje në internet dhe si mund të komunikojnë me të tjerët. Përmes këtyre mjeteve prindërit mund të ndjekin fëmijët se çfarë shohin, dëgjojnë dhe bëjnë online.

Gjatë kësaj konference u theksua se konferenca të tilla tash e tutje do të organizohen çdo vit.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.