MASHT

Shtëpitë Shkolla simbol i mbijetesës së arsimit shqip në Kosovë

19 Janar, 2012

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me rastin e shënimit të 20 vjetorit të pavarësimit të shkollës shqipe në Kosovë, ka shprehur interesimin që ta shndërrojë në “Muze të Arsimit “, shtëpinë e Mehmet Aliu – Hertica nga Prishtina.

Figurativisht kjo shtëpi simbolizon të gjitha shtëpitë shkolla të dhuruara me qëllim të shkëputjes së tërësishme të sistemit të arsimit , nga një shtet represiv me qëllime asimiluese. Janë mijëra familjarë anë e kënd Kosovës, të cilët gjatë viteve 1992- 1999 lejuan shtëpitë e tyre për zhvillimin e mësimit shqip. 

Zëvendësministri i arsimit , Nehat Mustafa , ka vizituar kryefamiljarin Mehmet Aliu në Lagjen Kodra e Trimave, në shtëpinë e të cilit atë kohë zhvilloi procesin mësimor gjimnazi ” Sami Frashëri” i Prishtinës. Ai, me këtë rast, e njoftoi pronarin se Ministria e Arsimit , ka shprehur interesim që shtëpia e zotit Aliu të shndërrohet në Muze të Arsimit të Republikës së Kosovës .

“Kjo shtëpi dhe mijëra shtëpi e familje anë e kënd Kosovës bënë që arsimi të frymojë shqip në kohët më të vështira të regjimit serb. Këta familjarë , arsimtarët dhe kontribuues të tjerë, janë heronj të një kohe shumë të vështirë të rrugëtimit të pavarësisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës shpreh mirënjohje të përhershme për të gjithë ata që krijuan mundësi që të vihen themelet e institucioneve të pavarura arsimore dhe të institucioneve tjera shtetërore të Kosovës “, tha z Mustafa .

Nga ana e tij , z Mehmet Aliu u shpreh i kënaqur me interesimin e Ministrisë së Arsimit që shtëpia e tij të shndërrohet në “Shtëpi Muze “. Ai gjithashtu shtoi se kontributi i tij dhe i mijëra të tjerëve si ai në Kosovë s`është veçse një borxh ndaj atdheut, ndaj gjeneratave të reja ndaj ardhmërisë sonë . Jam i lumtur që kam pasur mundësi të jem pjesë e këtij procesi të shtetëformimit të Kosovës dhe besoj që këtë ndjenjë e kanë të gjithë ata që liruan shtëpitë e tyre për këtë çështje “, tha z Mehmet Aliu.

Ndryshe , Ministria e Arsimit , të premten 20 janar 2012, do të mbajë akademi solemne me rastin e 20 vjetorit të pavarësimit të shkollës shqipe, fillimit të mbajtjes së mësimit në shtëpitë shkolla.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.