Në Vlorë u mbajt seminari i gjashtë me mësuesit e shkollës shqipe në diaporë

30 Korrik 2010

Rreth 120 mësues nga vende të ndryshme janë takuar në Vlorë të Shqipërisë për të shënuar ngjarjen tashmë tradicionale: Seminarin e gjashtë të shkollës shqipe të mësimit plotësues në diasporë.

Organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Shqipërisë (MASH), për tri ditë me radhë (nga data 26 deri më 28 korrik), kanë krijuar kontakte, kanë pasuruar metodologjinë e mësimdhënies, kanë diskutuar për shtrirjen e mësimit plotësues në diasporë dhe për koordinimet organizative e materiale, vetëdijesimin në ruajtjen e gjuhës amtare, shkëmbimin e literaturës, etj.

Në fjalën e hapjes, zëvendësministri i MASHT-it, Agim Hyseni, përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi punën e tyre shumë të rëndësishme që janë duke bërë në arsimimin e gjeneratave dhe ruajtjen e vlerave kulturore shqiptare. Ai përmendi edhe vështirësitë në punën e tyre dhe premtoi mbështetjen e dy institucioneve më të larta të arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës.

Zëvendësministri Hyseni theksoi ndër të tjera se MASHT-i ka përgatitur tekstin e parë shkollor për mësimin në diasporë me shtatë fletore pune.

Në këtë seminar u mbajtën ligjërata nga ekspertë të lëmive të ndryshme, me qëllim të ngritjes profesionale të mësuesve. Me ligjëratat e tyre u paraqit, ndër të tjerë, edhe akademik Shyqeri Nimani, Mimoza Gjokutaj, Albana Canollari, Driton Kajtazi, Nuhi Gashi, Majlinda Hala, Besnik Rama, Rifat Hamiti, Avni Rexha, Lorenc Koka.

Ndërsa, gjatë këtyre tri ditëve është zhvilluar edhe puna në grupe nga ku kanë dalë rekomandime që do të jenë shumë të rëndësishme për punën e mëtutjeshme dhe forcimin e mësimit plotësues shqip në diasporë.

Në përmbyllje të seminarit, pjesëmarrësit i ka përshëndetur Nehat Mustafa, këshilltar i ministrit Hoxhaj, i cili ka uruar mësuesit për punën e tyre, ndërsa ka premtuar përkrahjen e ministrive të arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë për të gjitha kërkesat që u theksuan gjatë punës së këtij seminari, me theks të veçantë në nxitjen e prindërve që të dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues në diasporë.

Gjatë ditëve sa ka zgjatur seminari, pjesëmarrësit kanë realizuar edhe disa vizita nëpër vende të ndryshme historike dhe kulturore në qytetin e Vlorës.