Ministri Likaj përkrahë Shoqatën Matematikanëve të Kosovës

30 Dhjetor 2020

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj shprehu edhe njëherë mbështetjen e plotë ndaj Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës (SHMK), me ç’rast priti në takim të gjithë anëtarët të cilët i shpërbleu financiarisht dhe u ndau mirënjohje.

“Nxënësit dhe studentët e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës e kanë dëshmuar zotësinë e tyre në nivel ndërkombëtar, prandaj kjo është më e pakta që mund të bëhet për t’i mbështetur dhe treguar se jemi krenarë me ta. I përgëzoj edhe mentorët e tyre për mbështetjen që u kanë dhënë”, u shpreh ministri Likaj.

Kryetari i ShMK-së, Armend Shabani  falënderoi ministrin Likaj për përkrahjen e plotë ndaj tyre, bashkëpunimin e koordinimin e vazhdueshëm.

“Për nxënësit është shumë e rëndësishme përkrahja institucionale. Shërben si shtysë dhe ndihmon tejkalimin e sfidave që u dalin gjatë rrugëtimit të tyre, duke pasur parasysh se është përfaqësim në nivel ndërkombëtar dhe konkurrenca është shumë e fortë”, tha Shabani.

Ministri Likaj, po ashtu foli edhe për mbështetjen përmes bursave, të cilën u’a ka dhënë studentëve elitarë të universiteteve publike, përfshirë edhe ata me nevoja të veçanta dhe të komuniteteve, ndërsa shtoi se, MASh është duke bërë përpjekje që të mbështesë pjesërisht edhe dy studentë nga Kosova, të cilët janë pranuar në Universitetin e Harvardit.