Ministri i Arsimit ndan shqetësimet e tij për sferën e arsimit me kryetarët e komunave

13 Korrik 2010

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj ka uruar sot kryetarët e komunave të Kosovës dhe drejtorët komunal të arsimit për përfundimin e suksesshëm të vitit shkollor dhe ka falënderuar ata për bashkëpunim në të gjitha proceset që po zhvillohen në arsim. Ministri Hoxhaj, po ashtu i ka porositur udhëheqësit e komunave që të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm për përgatitjet sa më të mira për vitin shkollor 2010/2011.

Në një takim të organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës mes nivelit qendror dhe atij lokal, kanë marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, zëvendësministri i Administratës së Pushtetit Lokal, Raif Elezi.

 

Me këtë rast, kryetari i Asociacionit të Komunave, Bajrush Xhemaili, pasi falënderoi ministrat për pjesëmarrjen e tyre, shprehu shqetësimet e kryetarëve të komunave që kanë të bëjnë me pushtetin lokal.

 

Gjatë këtij takimi, ministri Hoxhaj, shtroi disa çështje, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në ngritjen e cilësisë në arsim, e të cilat në pjesën më të madhe janë përgjegjësi e komunave.

 

Kështu, ministri Hoxhaj, foli për autonominë financiare të shkollave, proces ky shumë i rëndësishëm, por në realizimin e të cilit shumë komuna po kanë vështirësi.

Gjithashtu, ministri kërkoi nga kryetarët e komunave që të jenë më kërkues ndaj drejtorive të tyre komunale, sidomos kur është në pyetje respektimi i akteve ligjore dhe nënligjore, të cilat kanë të bëjnë me: përzgjedhjen e mësimdhënësve dhe stafin udhëheqës të shkollave; pensionimin e parakohshëm ose vazhdimin e punës për mësimdhënës deri në përfundim të vitit shkollor; shpërndarjen e teksteve shkollore; regjistrimin e nxënësve, arsimin për të rritur etj.

 

Po në këtë takim, ministri Hoxhaj shprehu shqetësimin e tij edhe për disa çështje si: për vonesën e raporteve, analizave dhe shënimeve të tjera zyrtare, të cilat MASHT-i i kërkon në periudha periodike; mosrespektimin e procedurave që kanë të bëjnë me shqiptimin e masave ndaj nxënësve dhe mësimdhënësve, mosharmonizimin e buxheteve mes komunave të mëparshme dhe atyre të reja dhe veçmas me mosplanifikimin e mirë të komunave si rezultat i të cilave disa mësimdhënës po mbesin jashtë listës së pagave, edhe pse të zgjedhur me anë të konkursit të rregullt dhe jo rrallëherë janë vërejtur raste kur brenda listës së pagave, po në të njëjtat komuna, kanë mbetur mësimdhënës të pranuar pa konkurs.

 

Ministri Hoxhaj, informoi kryetarët e komunave për disa nga projektet e mëdha, me të cilat është duke u marrë MASHT-i siç janë: pilotimi i vlerësimit të performacës së mësimdhënësve dhe stafit udhëheqës; kualifikimi i mësimdhënësve me programin ECDL si parakusht për aplikimin e platformave digjitale në procesin arsimor; rikualifikimin e mësimdhënësve me shkolla të larta dy vjeçare; rishikimin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar, rishikimin e Kornizës së Kurrikulumit etj.

 

Në fund, ministri Hoxhaj, kërkoi nga kryetarët e komunave që të inkurajojnë partneritetin publiko-privat për hapjen e institucioneve parashkollore dhe premtoi se MASHT-i do t'i përshpejtojë procedurat për licencimin e këtyre institucioneve, ashtu siç është duke ndodhur me licencimin e shkollave private të arsimit parauniversitar.