MASHT

MINISTRI BYTYQI: VENDIMI PËR NDALIMIN E TELEFONAVE RREGULLON MBARËVAJTJEN E PROCESIT MËSIMOR

30 Nëntor, 2018

30 Nentor 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në një konferencë për media ka folur rreth vendimit që ka marrë dje për ndalimin e përdorimit të telefonave mobil gjatë procesit mësimor nga ana e nxënësve dhe mësimdhënësve.

Ministri Bytyqi theksoi se qëllimi i këtij vendimi ka qenë që të rregullojmë mbarëvajtjen e mësimit nëpër shkolla dhe tha se ky vendim është marrë pas një analize që është bërë në MAShT.

“Kemi pasur shumë sygjerime dhe vërejtje që na kanë ardhë qoftë nga prindërit, qoftë nga drejtorët e shkollave se po keqpërdoren shpesh telefonat celularë dhe po bëhen pengesë në mbarëvajtjen e mësimit”, tha ministri Bytyqi.

Ministri theksoi se për mënyrën dhe formën se si do të zbatohet ky vendim, (të cilin janë të detyruar ta zbatojnë Drejtoritë Komunale të Arsimit së bashku me drejtorët e shkollave), do të pasojë një Udhëzim Administrativ, i cili do t’ua lehtësojë punën për ta zbatuar këtë vendim.

“Ne mendojmë që gjatë muajit dhjetor do të qartësohen të gjitha gjërat, pra do të kemi të gjitha detajet, pastaj do të jenë të informuar të gjithë akterët e përfshirë”, tha ministri Bytyqi, i cili theksoi se një rol të rëndësishëm në këtë drejtim do ta luajnë edhe prindërit.  

Ministri Bytyqi theksoi se me këtë vendim dhe këto veprime, po e rrisim në një nivel më të lartë përgjegjësinë në shkollat tona, ndërsa tha se ndër të tjera, do të detyrohen shkollat përmes DKA-ve që të kenë një telefon zyrtar.

Last modified: 10 Nëntor, 2022

Comments are closed.