MASHT

MINISTRI BYTYQI PRITI PËRFAQËSUESIT E TË VERBËRVE TË KOSOVËS

21 Shkurt, 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti në takim kryetarin e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki dhe drejtorin e Qendrës Burimore “Xheladin Deda” në Pejë, Xhavit Kastrati, me të cilët ka biseduar për shumë çështje dhe nevoja që ka komuniteti i të verbërve në Kosovë.

Në takim, u theksua nevoja e zyrtarizimit nga ana e ministrit Bytyqi të plotësimeve të shkrimit braj (brille) në gjuhën shqipe, platformë e cila tashmë është e gatshme me plotësimet që janë bërë nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, Qendra “Xheladin Deda” në Pejë dhe Instituti i fëmijëve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi” në Tiranë. 

Kryetari Tishuki e njoftoi Ministrin se këto plotësime janë bërë për shkak se shkrimi braj në gjuhën shqipe nuk ka pasur më ndryshime që nga viti 1970 dhe përparimi i teknologjisë informative e ka vështirësuar shkrim-leximin për të verbërit. 

Ministri Bytyqi përgëzoi institucionet dhe shoqatat nga Kosova dhe Shqipëria për punën që kanë bërë dhe theksoi se përkrahja e MAShT nuk do të mungojë në këtë drejtim, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me këtë komunitet. 

Në takim u bisedua edhe për nevojën e theksuar të sintezës vokale të gjuhës shqipe, por edhe për të arriturat dhe vështirësitë që ka gjatë punës Qendra Burimore “Xheladin Deda” në Pejë. 

Last modified: 9 Qershor, 2022

Comments are closed.