Ministri Bytyqi priti ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala

20 Gusht 2019

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti sot në takim ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala, me të cilin bisedoi për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të ngritjes së cilësisë në arsim, me theks në arsimin dhe aftësimin profesional.

Ministri Bytyqi tha se, bashkëpunimi me ministritë e linjës është shumë i rëndësishëm për përgatitjen sa më të mirë të kuadrove për tregun e punës, i cili do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë kontekst, ministri Bytyqi theksoi angazhimin e madh dhe punën që po bëhet për zhvillimin e programeve adekuate arsimore në përputhje me nevojat e tregut të punës.

Gjatë këtij takimi, të dy ministrat theksuan se arsimi dhe aftësimi profesional mbetet mundësia më e mirë për të rinjtë tanë, prandaj angazhimet e përbashkëta ndërinstitucionale janë të domosdoshme.