Ministri Bytyqi ndau mirënjohje për mësimdhënësit dhe drejtorët e dalluar për vitin 2018

27 Dhjetor 2018

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në një ceremoni solemne ka ndarë mirënjohje për mësimdhënës dhe drejtorë të shkollave të përzgjedhur nga komunat e tyre si më të mirët për vitin 2018.

Mirënjohjet janë ndarë me qëllim të vlerësimit dhe respektimit të punës dhe angazhimit të tyre për edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja, duke inkurajuar të gjithë për të ndjekur shembullin e tyre.

Me këtë rast, ministri Bytyqi falënderoi mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave të përzgjedhur për punën e mirë që kanë bërë dhe uroi që të vazhdojë përkushtimi i tyre dhe i të gjithë mësimdhënësve, dhe vitin e ardhshëm të ketë edhe më shumë të përzgjedhur.

Ministri Bytyqi, në fund të kësaj ceremonie i ka uruar të gjithë mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit për Vitin e Ri dhe ka uruar suksese dhe të arritura të reja në arsim për vitin 2019.