Ministri Buja priti rektorin e UEJL-së, Zamir Dika

21 Prill 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, priti sot rektorin e Universitetit të Evropës Juglindore të Maqedonisë, Zamir Dika dhe bashkëpunëtorë të tij, me të cilët ka biseduar rreth mundësisë së bashkëpunimit.

Me këtë rast, ministri Buja shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim të mëtutjeshëm me këtë universitet, në të mirë të studentëve të të dyja vendeve, kur dihet që në këtë universitet studion edhe një numër i madh i studentëve nga Kosova. "Ne jemi të gatshëm të intensifikojmë këtë bashkëpunim, në të mirë të cilësisë në arsimin e lartë, në mënyrë që kuadrot të dalin sa më të përgatitura", tha ministri Buja dhe përgëzoi udhëheqësit e këtij universiteti dhe të gjithë ata që kanë punuar për ngritjen e UEJL-së.

Ndërsa, rektori Dika falënderoi ministrin Buja për mbështetjen dhe theksoi se do të jenë të gatshëm për bashkëpunim, jo vetëm me Prishtinën, por edhe me Tiranën, për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që shkojnë në të mirë të universiteteve dhe studentëve të këtyre vendeve. Në këtë drejtim ai veçoi mundësinë e lehtësimit të procedurave administrative për studentët.