MASHT

Ministri Buja: MAShT në mbëshetje të të rinjve

6 Dhjetor, 2011

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, mori pjesë në Kuvendin V zgjedhor të Këshillit të Nxënësve të Kosovë.

Ministri Buja foli për sukseset, sfidat dhe përkushtimin e MAShT-it në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë. “MAShT është e përkushtuar që Kosovën ta bëjë shtet të dijes, sepse vetëm të ditur mund të shkojmë aty ku duam, të jemi të integruar me të tjerët”, theksoi ministri.

“Ju jeni në shkollimin e mesëm e që është shtylla kryesore e studimit dhe shkencës më pastaj. Jeni struktura e cila vazhdimisht duhet të komunikojë më prindër, arsimtarë dhe zyrtarë të arsimit e të komunës me qëllim të mbrojtjes së interesave tuaja”, ka thënë ministri, i cili u është përgjigjur edhe pyetjeve të nxënësve, që kryesisht kishin të bëjnë me prioritetet, kushtet, cilësinë në arsim, Testin e Maturës dhe qështje tjera me interes .

“Ne tashmë kemi hartuar dhe miratuar dokumentet strategjike zhvillimore, të cilat na mundësojnë të dimë se ku duam të shkojmë në të ardhmen. Ne kemi zgjeruar hapësirat shkollore dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë me synimin që të kemi sa më pak nxënës në klasa dhe më pak ndërrime”, është shprehur tutje ministri Buja.

Ndërkaq, për Testin e Maturës ministri theksoi se kohë më parë në një konferencë ndërkombëtare për këtë cështje janë marrë vlerësimet dhe sugjerimet, ndërsa është propozuar që të kemi një Test për gjimnazet dhe një për shkollat e mesme profesionale.

“MAShT do të mbështesë të rinjtë në përmirësim të vazhdueshëm të kushteve, performancës së mësimdhënësve dhe rritjen e cilësisë në arsim”, tha në fund ministri Buja

Ndryshe, Këshilli i Nxënësve është strukturë përfaqësuese e nxënësve në nivel nacional përmes të cilit nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës përfaqësojnë shkollat e tyre në bashkëpunim me zyrtarët, prindërit dhe arsimtarët.

Këshilli i Nxënësve është themeluar në bazë të Ligjit për Arsimin Fillor dhe të Mesëm, dhe si i tillë është e vetmja strukturë legjitime në përfaqësimin e nxënësve në Kosovë.
Këshilli ka statutin dhe strukturën e brendshme organizative të përfaqësuar nga nxënës të të gjitha viseve të Kosovës.

Punimet e këtij Kuvendi zgjedhor të Këshillit të Nxënësve i përshëndetën edhe ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, dhe znj.Ganimete Musliu- Grupi joformal i deputetëve të rinj.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.