MASH ka zhvilluar modul të ri për regjistrim të rasteve me COVID-19 në shkolla

14 Tetor 2020

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e përkrahur nga UNICEF-i, ka zhvilluar një modul të ri për regjistrim të rasteve të dyshuara dhe të konfirmuara me COVID-19 të nxënësve dhe personelit arsimor, si dhe raportimin për formën e organizimit të mësimit sipas Udhëzuesit të MASh për organizimin e mësimit në kushte të pandemisë, përkatësisht skenarëve A, B dhe C.

Këtë aplikacion (Sistemi për regjistrimin e rasteve me COVID), MASh e ka zhvilluar me qëllim të krijimit të lehtësirave në marrjen e informatave nga terreni për situatën pandemike në shkolla në kohë reale, informata të cilat do të lehtësojnë punën e task forcave në nivel të shkollave, të komunave dhe të Ministrisë për përcjelljen e procesit mësimor në kushte pandemie.

MASh ka kërkuar nga të gjitha shkollat, respektivisht DKA-të, që të raportojnë sa i përket situatës pademike në shkolla në baza ditore për rastet e dyshuara dhe të konfirmuara me COVID-19.