MASHT

Kurrikula e Re do të ndikojë në ngritjen e cilësisë

2 Shkurt, 2012

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), ka mbajtur një punëtori më Inspektorët e Arsimit të Kosovës me ç`rast është diskutuar për rëndësinë e kurrikulës, zbatimin e saj si dhe përmirësimin e sistemit arsimor të Kosovës përmes licencimit të mësimdhënësve.

Agim Berdyna, drejtor i Departamentit për Zhvillim të Arsimit Parauniversitar, foli për rëndësinë e këtij dokumenti, detyrat dhe përgjegjësitë që do të kenë inspektorët ë arsimit në kontekst të zbatimit të Kurrikulës.

Ai theksoi nevojën e trajnimeve, ngritjes së resurseve, konform trendeve bashkëkohore arsimore, më qëllim zbatimit të suksesshëm të Kurrikulës dhe përmirësimit të vazhdueshëm të sistemit arsimor.

Në kontekst të kësaj, z. Berdyna dhe David Lynn, konsulent nga programi IDEP , përmes një kumtese ofruan të dhëna, sqarime dhe rekomandime të bazuara në përvojat më të mira profesionale ndërkombëtare për një zhvillim efektiv profesional të mësimdhënësve, i cili do të qonte kah ndryshimet pozitive në përvojat mësimore të nxënësve dhe arritjes së tyre mësimore.

Ndërkaq, Ramush Lekaj, udhëheqës i Divizionit për Sigurim të Cilësisë , gjithashtu foli për ecuritë e procesit të hartimit të Kurrikuklës, vështirësitë dhe sfidat me të cilat do të ballafaqohet procesi i zbatimit . Lekaj tha se “është e nevojshme të hartohen Udhëzime Administrative dhe një sërë dokumentesh tjera cilësore në frymën e Kornizës së Kurrikulës, si dhe përgatitja e sistemit shkollor dhe shkollave individuale për të marrë përsipër zbatimin e kurrikulës së re shtetërore. Ndërsa ndryshimet që do të ndodhin , do të jenë në funksion të ngritjes së cilësisë”, tha z. Lekaj.

Inspektorët e arsimit shtruan një sërë çështjesh që kanë të bëjnë më këtë proces , si përgatitjen ( trajnimin) e tyre për këtë dhe çështje tjera profesionale.

Ndryshe, për zbatimin e Kurrikulës së re, Agim Berdyna, drejtor për Zhvillimin Arsimit Parauniversitar, tha se do “ta kemi mbështetjen e mekanizmave ndërkombëtarë, të cilët njëherësh kanë ndihmuar me ekspert dhe mjete financiare, hartimin e dokumentit”.

Last modified: 29 Gusht, 2022

Comments are closed.