MASHT

Hoxhaj: Toni Blair simbol i besimit, optimizmit dhe shpresës

10 Korrik, 2010

I nderuar kryeministër Tony Blair , i nderuar rektor Rugova, ambasador Andy Sparks, të nderuar të pranishëm.

Ka shumë arsye pse jemi mbledhur sot në këtë ceremoni shumë të veçantë. Mirëpo, janë tri arsye pse ne sot po e nderojmë ish Kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair me titull Doktor Honoris Causa!

Arsyeja e parë ka të bëjë me lidershipin e tij. Toni Blair është simbol i besimit, optimizmit dhe shpresës për qytetarët e Kosovës. Ishte njeriu që hyri në politikë për ta ndryshuar partinë e tij, shtetin e tij, Evropën dhe botën. Ishte lideri që bashkoi botën kundër padrejtësive, ishte politikani më këmbëngulës që njohu bota për të siguruar paqen.

Arsyeja e dytë ka të bëjë me vendin e tij, me Britaninë e Madhe. Ishit ju Tony Blair dhe vendi juaj, Britania e Madhe, që vlerësuat drejtë gjendjen e rëndë në Kosovë dhe shtypjen e madhe që ndodhte. Ishit ju që rrëqetheshit me vuajtjet tona dhe ngjallët shpresat e njerëzve “të varrosur” nga një regjim barbar.

Prandaj, me këtë titull nderi, ne përulemi me një mirënjohje të thellë para jush për lirinë e Kosovës. Me këtë ceremoni, ne shprehim mirënjohje të madhe para qindra dhe mijëra qytetarëve tuaj në vendin tuaj. Para shumë ushtarëve, të cilët parandaluan asgjësimin tonë fizik dhe dhanë jetën për Kosovën. Para shumë diplomatëve të cilët ishin zëri më racional në prezantimin e çështjes sonë, para shumë gazetarëve apo akademikëve që nuk heqin dorë nga kërkimi i drejtësisë.

Shumë gra e burra, një pjesë e njohur dhe shumë të panjohur, të cilët ndihmuan në ndërtimin e shtetin tonë. Ata janë pjesë e çdo familjeje tonë, e çdo gjenerate dhe institucioni tonë.

Arsyeja e tretë ka të bëjë me një çështje shumë të vështirë, të vjetër po aq sa njeriu. Kjo ka të bëjë me çështjen e luftës dhe të paqes, dhe zëvendësimin e saj në histori nga njëra dhe tjetra.

Ky titull flet për aspiratat tona më të larta si njerëz, si qytetarë të botës. Ai tregon se veprimet tona kanë vlerë dhe çojnë historinë e drejtësisë.

Vetëm kështu duhet të kuptohet se, pse Toni Blair u angazhua për paqe në pjesë tjera të botës, dhe, pse ai ishte i paepur ndaj çdo diktatori në Ballkan apo në Lindjen e Afërt.


Ndarja e këtij çmimi tregon se ku kemi qenë para 11 vjetësh dhe ku jemi sot.
Ku do të ishim ne sot në vitin 2010, nëse nuk do të ishte Tony Blair dhe vendi i tij Britania e Madhe!


Sot para 11 vjetëve shpresat e kosovarëve ishin gjunjëzuar para terrorit, megjithëkëtë njerëzit vazhdonin luftën për çlirim, nxënësit dhe studentët ndiqnin mësimin në shkollat shtëpi, dhe shumë të tjerë kishin braktisur vendin.


Sot para 11 vjetëve një ushtar, i pa ushqyer, me një pushkë, por përplot zemër, luftonte për lirinë e popullit të vet.


Sot para 11 vjetëve, një nënë, përveç mbijetesës së minutave të fundit të luftës, kishte edhe një hall se si ta pagëzonte djalin që lindi në mal. Mendja i shkoi në Çlirim apo Shpëtim.

Por, ajo e gjeti një emër që personifikonte edhe Çlirimin edhe Shpëtimin. Vendosi të pagëzonte djalin me emrin Tony Blair.

Ai sot ka 11 vjet, aq sa edhe liria jonë. Ai do të jetë matësi i lirisë, matësi i progresit të shtetit dhe të demokracisë.

Dhe për këtë ishte e vetëdijshme edhe kjo nënë. Ishte mundësia e vetme e saj për t’ju nderuar juve zoti Tony Blair, për të kujtuar ndihmën tuaj, për të përjetësuar admirimin që kosovarët kanë ndaj juve dhe ndaj Britanisë së Madhe.

Le të ndjekim shembullin e saj dhe të nderojmë mikun e lirisë sonë, një lider të botës moderne, një hero të Pavarësisë së Kosovës.

Faleminderit shumë!

Last modified: 26 Gusht, 2022

Comments are closed.