MASHT

U MBAJT TRYEZA ME TEMËN “INTEGRIMI I POLITIKAVE DHE SHËRBIMEVE PËR TRAJTIMIN E DHUNËS NDAJ FËMIJËVE, ME FOKUS NË SHKOLLË”

30 Mars, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në tryezëm me temën “Integrimi i politikave dhe shërbimeve për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve, me fokus në shkollë”, e cila është organizuar nga Komisioni Parlamentar për Arsim dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).

Në këtë tryezë, ministrja Nagavci ka folur për politikat arsimore në lidhje me dhunën në shkolla, gjendjen aktuale, si dhe planet e Ministrisë së Arsimit për të luftuar dhunën në shkolla dhe për të ofruar siguri për fëmijët në çdo institucion arsimor. Në këtë drejtim, Ministrja përmendi infrastrukturën ligjore që sanksionon dhunën dhe siguron mbrojtje të fëmijëve, faktin se dhuna tashmë është pjesë integrale e kurrikulave arsimore në të gjitha nivelet e arsimit, si dhe një varg dokumentesh, por edhe aktivitete të shumta që për synim kanë parandalimin e çfarëdo lloj dhune në sistemin arsimor. Ministrja Nagavci tha se MAShTI po bën përpjekje që komuniteti shkollor të ndërgjegjësohet për temën e dhunës si problem global, të ketë qëndrim proaktiv në trajtimin e saj dhe të ushtrojë rolin e duhur në parandalim nëpërmjet të arsimit cilësor. Duke folur për vështirësitë, Ministrja shkrehu keqardhje për faktin se granti që është ndarë për punësimin e psikologëve është përdorur nga drejtoritë komunale për punësimin e kuadrove të tjera, prandaj ajo theksoi se aktualisht në nivel vendi kemi 146 psikologë e pedagogë. Po ashtu, ministrja Nagavci tha se me gjithë angazhimin e stafit të MAShTI dhe partnerëve tanë strategjikë, raportimi dhe referimi i rasteve të dhunës, ende nuk është në nivelin e duhur dhe dhuna vazhdon të jetë problem i shoqërisë sonë. Ministrja Nagavci tha se jemi të përkushtuar në vazhdim që të kemi grup ndërinstitucional aktiv, për të përcjellur dhe monitoruar veprimet brenda sistemit të mbrojtjes së fëmijës nga çdo formë e dhunës, ndërkohë do të rrisim shërbimet mbështetëse për shkolla dhe do të veprojmë me aktivitete sensibilizuese për rritjen e vëmendjes dhe përgjegjësisë institucioanle karshi fenomenit të dhunës. Ndërsa, kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, tha se kjo tryezë është e vonuar, derisa përmendi një rast që ndodhi para disa ditëve ku një fëmijë u godit në publik. Larissa Brunn nga zyra e UNICEF-it në Kosovë, theksoi se në vitin 2014, 61 përqind e fëmijëve kanë përjetuar dhunë fizike apo psikologjike, ndërsa më 2020 numrat kanë qenë më të lartë dhe në këtë periudhë 5 vjeçare kemi parë rritje shqetësuese të dhunës ndaj fëmijëve. Në fund të diskutimit u dhanë edhe disa rekomandime të cilat mund të ndikonin në parandalimin e rasteve të dhunës, si: stimulimi i raportimit të rasteve të dhunës në sistemin SMIA, mbikëqyrja dhe llogaridhënia e kornizës ligjore ekzistuese, miratimi sa më i shpejtë i grantit të veçantë për shërbime sociale etj.

Last modified: 17 Maj, 2022