Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në Sfidën e Kodimit online për shkollat fillore, cikli 1-5, në Kosovë, në kuadër të projektit pilot të Programit “Shkollat e Shekullit 21”.
Me këtë rast, ministrja Nagavci ka përgëzuar të gjithë nxënësit pjesëmarrës në sfidën e kodimit dhe shprehu mirënjohje për Këshillin Britanik në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, për mundësinë që iu është ofruar nxënësve në Kosovë përmes programit “Shkollat e Shekullit 21”.
Ministrja Nagavci theksoi se, qasja gjithëpërfshirëse në arsim është një synim prioritar i Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit dhe në këtë drejtim theksoi rëndësinë e madhe të zbatimit të këtij Programi ku janë përfshirë të gjitha shkollat publike në Kosovës.
Duke e mbështetur këtë program, theksoi ministrja Nagavci, ne po hapim rrugën për një të ardhme më të ndritur për çdo fëmijë në Kosovë, sepse arsimimi dhe përvetësimi i shkathtësive të reja janë kritike për zhvillimin e tyre si individë dhe qytetarë.
Ndërsa, Peter Brown, drejtor i Këshillit Britanik për Serbi dhe Ballkanin Perëndimor foli për rëndësinë e zhvillimit të shkathtësive digjitale te nxënësit, respektivisht zhvillimin e mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kodimit duke përdorur pajisjen mikro:bit, të cilat i synon Programi.
Me këtë rast, është bërë edhe shpallja e fituesve të Sfidës Nacionale të Kodimit (shkollat pilot), ku nga 9 ekipe garuese të 7 shkollave, janë përgjedhur 3 projekte:
Shkolla “Emin Duraku”, Shtime, projekti “Noise:Bit” – vendi i parë.
Shkolla “Nazim Hikmet”, Dobërçan, projekti “Semafori” – vendi i dytë.
Shkolla “Fazli Grejçevci”, Shipol, projekti “Për ju edhe qiellin e sollëm në tokë”, vendi i tretë.
Last modified: 17 Maj, 2022