MASHT

NËNSHKRUHEN 16 KONTRATA ME NXËNËSIT E QENDRËS SË KOMPETENCËS NË SKËNDERAJ PËR ZBATIMIN E MËSIMIT DUAL

4 Prill, 2022

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kanë marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave nga 16 nxënës të Qendrës së Kompetencës në Skënderaj me Kompaninë R&R.

Me këtë rast, ministrja Nagavci shprehu kënaqësinë që po fillon implementimi në praktikë i mësimit dual, që ka qenë edhe një nga premtimet e Qeverisë së Kosovës. Ajo theksoi se kjo është një sfidë e re dhe parakusht që të fillohet nga viti i ardhshëm shkollor me implemetimin e mësimit dual sipas modelit të shteteve gjermanofolëse në disa profile. Ministrja Nagavci uroi që ky të jetë një shembull i suksesshëm i cili do të jetë edhe motiv për nxënësit tjerë, por edhe për bizneset tjera që të ofrojmë këtë mundësi të zhvillimit të praktikës me pagesë për nxënësit tanë. Po ashtu, Ministrja përmendi faktin se në buxhetin e këtij viti janë ndarë 3.5 milionë euro për sigurinë e nxënësve gjatë punës praktike, ndërsa janë planifikuar edhe për vitin e ardhshëm. Nënshkrimi i këtyre kontratave, sipas të cilave nxënësit do të paguhen nga Kompania deri në mbarim të shkollimit të tyre, vjen pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit mes MAShTI dhe Fondacionit “Besa” nga Gjermania për implementimin e sistemit dual të arsimit sipas modelit gjerman. Prandaj, ministrja Nagavci falënderoi të gjithë ata që e kanë punuar për të krijuar këtë mundësi dhe theksoi se me përkushtimin e të gjithëve do të mundësojmë që nxënësit të zhvillojnë kompetencat dhe shkathtësitë e tyre, pasi që përfitimi do të jetë i shumanshëm.

Last modified: 17 Maj, 2022