Ministri i Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, Franz Fayot me bashkëpunëtorë, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku janë zhvilluar disa aktivitete, të cilat në fokus kanë thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Në takimin vjetor të Komisionit të Partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, ku mori pjesë edhe ministrja Arbërie Nagavci, u diskutua progresi dhe sfidat në zbatimin e mbështetjes zhvillimore të Luksemburgut në Kosovë në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe aftësimit profesional, si dhe integrimit në BE në kuadër të marrëveshjes dypalëshe 2017-2020, e cila u zgjat deri në vitin 2022. Në këtë takim, të dyja palët biseduan për një Marrëveshje të re dypalëshe 2023-25 dhe një Memorandum të ri Mirëkuptimi për 3 vjet, që do të pasqyrojë intervenimet e dakorduara reciprokisht në fushat e zgjedhura për bashkëpunim në të ardhmen. Ndërkaq, ministri Fayot, i shoqëruar nga ministrja Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kanë vizituar edhe objektin ku po zhvillohen punimet për ta ngritur Qendrën e Kompetencës së TIK-ut në Prishtinë, e cila është investim në kuadër të projektit LuxDev, financuar nga Dukata e Madhe e Luksemburgut. Kjo Qendër do të funksionalizohet duke renovuar shkollën e vjetër të Ekonomisë në Prishtinë dhe një hapësirë të pjesë të objektit të vjetër të Fakultetit të Bujqësisë, ndërsa pas renovimit do të pajiset me pajisjet më të sofistikuara për realizimin e mësimit dual dhe arritjen e kompetencave më të larta, përkatësisht përgatitjen e të kualifikuarve për tregun e punës. Ministrja Nagavci falënderoi ministrin Fayot për mbështetjen e madhe që ka dhënë shteti i tij në zhvillimin e arsimit, veçanërisht në arsimin dhe aftësimin profesional, fushë në të cilën edhe Qeveria e Kosovës e ka prioritet. Në këtë Qendër të Kompetencës, e cila pritet të finalizohet në shtator të këtij viti, do të hapen këto profile: Teknik i grafikës, Teknik i informatikës së biznesit, Teknik i sistemeve të TIK, Teknik për dizajnim të mediave interaktive, Zhvillues i aplikacioneve. Të gjitha programet janë programe tri vjeçare.
Last modified: 17 Maj, 2022