Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë pjesë në dëgjimin publik për Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA), të organizuar nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, me kryetar Ardian Golën, në bashëpunim me projektin HERAS Plus.
Në këtë dëgjim publik kanë marrë pjesë përfaqësuesit e institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë, përfaqësuesit nga bota akademike dhe ekspertë të ndryshëm, ndërsa planifikohen edhe dëgjime të tjera me grupe të interesit. Ministrja Nagavci, me këtë rast, theksoi rëndësinë që ka ky Ligj për sigurimin e cilësisë së arsimit në vend, ndërsa theksoi se trajtimi me seriozitet, do të rrisë cilësinë e ligjit. Ministrja tha se me këtë draftligj është paraparë pavarësia e AKA dhe sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë, ndërsa, duke folur për strukturën organizative, theksoi se është paraparë që Këshilli Shtetëror i Cilësisë, si organ vemdimmarrës dhe politikbërës, të ketë 6 anëtarë vendorë, 3 ndërkombëtarë, si dhe drejtori i Agjensisë, një përfaqësues i studentëve dhe një përfaqësues nga industria, si anëtarë pa të drejtë vote. Pasi që foli për mënyrën se si është hartuar ky Draftligj dhe palët e përfshira në hartimin e tij, ministrja Nagavci tha se është e rëndësishme të kemi bazën ligjore cilësore, në mënyrë që të kemi politika të mirëfillta në arsimin e lartë. Ndërsa, kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, tha se pret kontribut nga përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë dhe propozimet e tyre do të merren parasysh, në mënyrë që të Ligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim të jetë sa më cilësor.
Last modified: 17 Maj, 2022