MASHT

Ministrja në detyrë Nagavci vizitoi shkollën “Mitrush Kuteli” në Prishtinë

15 Shtator, 2025

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, ka vizituar sot shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Mitrush Kuteli” në Prishtinë, ku është njoftuar nga afër me punën e stafit arsimor dhe përfshirjen e nxënësve në procesin edukativo-arsimor.

Gjatë vizitës, ministrja Nagavci theksoi se një nga synimet kryesore të Ministrisë së Arsimit mbetet ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë nxënësit dhe respektimi i plotë i parimit të gjithëpërfshirjes në shkolla.

“Si qeveri dhe si Ministri e Arsimit kemi pasur synim që të krijojmë kushte të barabarta për çdo nxënës. Në këtë drejtim kemi buxhetuar punësimin e 500 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, duke u kujdesur jo vetëm për ndarjen e buxhetit dhe planifikimin e vendeve të punës, por edhe për përgatitjen e kuadrove. Deri më tani, shtatë gjenerata të të rinjve kanë përfunduar trajnimet sipas programit ‘Pearson’ të kualifikimeve të nivelit të pestë, me qëllim që të ofrojnë mbështetje adekuate për fëmijët me nevoja të veçanta në institucionet edukativo-arsimore”, tha ajo.

Ministrja theksoi gjithashtu se është trajnuar një numër i konsiderueshëm i mësimdhënësve për hartimin dhe zbatimin e planeve individuale arsimore, si për fëmijët me nevoja të veçanta, ashtu edhe për ata me talente dhe dhunti të veçanta.

Përveç stafit të mësimdhënësve, Nagavci u prit edhe nga prindërit dhe nxënësit e kësaj shkolle të cilët e njoftuan për sfidat dhe punët që janë duke u bërë për fuqizimin e gjithëpërfshirjes dhe zhvillimin e talenteve të nxënësve.

Last modified: 16 Shtator, 2025