Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka shpallur konkursin për ndarjen e 100 bursave për nxënësit e regjistruar në klasën e 10-të në Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) për vitin shkollor 2025/26.
Nga këto, 60 bursa do të ndahen për drejtimet deficitare, ndërsa 40 bursa do t’u dedikohen vajzave të regjistruara në drejtimet teknike, me qëllim të nxitjes së pjesëmarrjes së tyre në fusha të kërkuara të tregut të punës.
Bursa ka vlerën 50 euro në muaj (500 euro në vit), dhe do të ofrohet për një periudhë trevjeçare, për të gjithë nxënësit që ndjekin me sukses mësimet e tyre në shkollat profesionale.
Nxënësit kanë të drejtë aplikimi në këto drejtime deficitare: zhvillues i aplikacioneve softuerike, teknik i sistemeve solare fotovoltaike, pylltari, agrobiznes, automekanik, asistent i turizmit dhe udhëtimeve, si dhe përpunim druri/zdrukthëtar.
Ndërkaq, për të gjitha vajzat që zgjedhin drejtimet teknike, bursa ofrohet në profilet: instalues elektrik, instalues i ngrohjes, klimatizimit dhe ujësjellësit, automekanik, teknologjia e riciklimit dhe teknik i dizajnit grafik.
Përmes këtij programi, MASHTI synon të mbështesë të rinjtë në orientimin drejt profileve profesionale me perspektivë të lartë punësimi dhe të kontribuojë në përgatitjen e kuadrove të reja për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Konkursi është i hapur nga 12 shtatori deri më 13 tetor 2025.
Nxënësit dorëzojnë aplikacionet në shkollat profesionale ku janë regjistruar.
Drejtorët e IAAP-ve i përcjellin aplikacionet në MAShTI/DAAP deri më 13 tetor 2025.
Nxënësit që nuk përfitojnë bursë kanë të drejtë ankese brenda afatit prej 7 ditësh nga shpallja e rezultateve.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit fton të gjithë nxënësit dhe veçanërisht vajzat që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të zgjedhur drejtimet profesionale që u hapin rrugë të sigurta drejt punësimit dhe karrierës së suksesshme.
Last modified: 12 Shtator, 2025