Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton opinionin publik se dje, me datë 23.06.2025, pa pasur një njoftim paraprak, përmes emailit zyrtar ka pranuar njoftimin nga Instituti Albanologjik se më datë 20.06.2025 është mbajtur mbledhja e Këshillit Drejtues. Në këtë mbledhje, përveç pikave të tjera, është vendosur për caktimin e u.d. drejtorit të Institutit Albanologjik – Prishtinë.
Gjithashtu, MAShTI ka pranuar njoftimin zyrtar dhe shqetësimin e dy anëtarëve të Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik. Ata kanë njoftuar zyrtarisht Ministrinë se, në mungesë të materialit paraprak për shqyrtim, kanë kërkuar shtyerjen e kësaj mbledhjeje. Përkundër kësaj kërkese, ata janë të informuar se mbledhja është mbajtur, dhe sipas njoftimit, nuk ka pasur kuorum për vazhdimin e saj dhe për marrjen e vendimeve të ligjshme nga Këshilli Drejtues.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, pas pranimit të të gjitha informatave dhe dokumenteve zyrtare lidhur me këtë proces, do të shqyrtojë këtë vendimmarrje në pajtim me kompetencat dhe mandatin ligjor, dhe për këtë do të njoftojë institucionet dhe zyrtarët përgjegjës.
Last modified: 24 Qershor, 2025