Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur në takim bashkëpunëtorë nga Këshilli Britanik dhe nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, ku është diskutuar mbi ecurinë e deritanishme të projekteve të përbashkëta dhe mbi mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm në fusha me prioritet për MASHTI-n.
Në takim morën pjesë drejtoresha e Këshillit Britanik në Kosovë, Majlinda Mazelliu, Shefja për Politika të Brendshme dhe Komunikime në Ambasadën Britanike, Annie Skeat, si dhe koordinatorët e projekteve përkatëse.
Gjatë takimit u theksuan rezultatet pozitive të bashkëpunimit të deritanishëm, duke përfshirë pjesëmarrjen e rregullt të Kosovës në Forumin Botëror të Edukimit në Londër, projektet për fuqizimin e grave dhe vajzave në fushat STEM, programin “Shkollat e Shekullit 21”, si dhe përgatitjet për projektin e ri CybHer, që do të zbatohet me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Projekti CybHer do të fokusohet në zhvillimin e shkathtësive të vajzave në fushën e sigurisë kibernetike, një sektor me rëndësi strategjike për të ardhmen, duke krijuar mundësi konkrete për avancimin e vajzave në teknologji dhe inovacion.
Ministrja Nagavci falënderoi përfaqësueset e Këshillit Britanik dhe të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe theksoi gatishmërinë e ministrisë për të thelluar bashkëpunimin në funksion të fuqizimit të sistemit arsimor dhe nxitjes së inovacionit në vend.

Last modified: 20 Qershor, 2025