MASHT

U certifikua gjenerata e parë e kuzhinierëve në shkollën “Sahit Baftiu” në Gjilan

3 Qershor, 2025

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zv.Ministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademi si dhe pëfaqësuesi nga GIZ Kosova, Mario Eckardt, morën pjesë në ceremoninë e certifikimit të nxënësve të Shkollës së Mesme të Lartë Profesionale “Sahit Baftiu” në Gjilan.

Ministrja Nagavci theksoi se kjo ceremoni është dëshmi konkrete e rezultateve të politikave arsimore të ndërmarra në tri vitet e fundit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët zhvillimorë dhe sektorin privat.

“Para dy vitesh, kur lansuam publikisht kampanjën për arsimin dual me sloganin ‘Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim për të rinjtë’, synuam t’u ofrojmë të rinjve përgatitje të mirëfilltë për tregun e punës. Sot jemi dëshmitarë se qëllimi kryesor, pra punësimi, po bëhet realitet për shumë të rinj e të reja në vend”.

Në fjalën e saj, ministrja përmendi pilotimin e parë në Kosovë në vitin 2022 me vetëm katër shkolla në tri komuna, ndërsa sot, ky model është zgjeruar në 27 shkolla profesionale në 15 komuna të vendit dhe po tregon rezultate konkrete.

Ministrja falënderoi të gjithë akterët për kontributin e dhënë, duke përfshirë komunat, shkollat, mësimdhënësit, instruktorët, prindërit, si dhe partnerët ndërkombëtarë, me theks të veçantë Qeverinë Gjermane dhe atë të Luksemburgut për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fazat e implementimit të arsimit dual.

Duke ju uruar suksese tutje nxënësve, drejtori i GIZ-it në Kosovë, Mario Eckardt, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit afatgjatë mes institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë në zhvillimin e arsimit profesional. Ai vlerësoi përkushtimin e të gjitha palëve të përfshira në zbatimin e modelit të arsimit dual.

Last modified: 3 Qershor, 2025