Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në ceremoninë e betimit të grupit të 10-të të vullnetarëve të Korpusit të Paqes, të cilët pas përfundimit me sukses të programit të trajnimit, do të nisin zyrtarisht detyrën nëpër komunitete të ndryshme në Kosovë. Në këtë grup janë përfshirë 30 vullnetarë që do të kontribuojnë kryesisht në fushën e arsimit dhe shkëmbimeve kulturore.
Në fjalën e saj, Ministrja Nagavci rikujtoi shënimin e 10-vjetorit të Korpusit të Paqes në Kosovë, i cili u mbajt në maj të vitit të kaluar me praninë e Drejtoreshës nga Uashingtoni, Carol Spahn, ku u nënshkrua marrëveshja e re e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit.
Ajo theksoi se, vullnetarët e Korpusit të Paqes kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në përmirësimin e cilësisë së arsimit, përmes bashkëpunimit të ngushtë me shkollat, mësimdhënësit dhe komunitetet lokale, duke sjellë përvoja të vlefshme nga sistemi amerikan i arsimit dhe duke ndihmuar në zhvillimin e nxënësve me mendësi të hapur dhe përgatitje për sfidat globale.
Ministrja Nagavci vlerësoi lart kontributin e vazhdueshëm të vullnetarëve sidomos në përforcimin e mësimdhënies së gjuhës angleze dhe në ndërtimin e urave të qëndrueshme kulturore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo falënderoi të gjithë vullnetarët për përkushtimin dhe inkurajoi të gjitha shkollat në Kosovë të përfitojnë nga mundësitë që ofron ky program. Po ashtu, ministrja theksoi përkushtimin e MAShTI-t për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me Korpusin e Paqes, duke e konsideruar SHBA-në si partnerin më të rëndësishëm strategjik të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, Drejtoresha e Korpusit të Paqes në Kosovë, Joanne Fairley, theksoi rëndësinë e lidhjeve të forta të ndërtuara me komunitetet dhe institucionet vendore, si faktor kyç për suksesin e këtij programi. Ajo shprehu mirënjohje të thellë për Qeverinë e Kosovës, Policinë, zyrtarët lokalë, familjet pritëse dhe të gjithë bashkëpunëtorët për mbështetjen e vazhdueshme dhe mikpritjen ndaj vullnetarëve.

Last modified: 15 Maj, 2025