MASHT

Ministrja Nagavci ka pritur në takim inspektorët e rinj të arsimit

28 Mars, 2025

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bashkë me zëvendësministrin, Taulant Kelmendi dhe ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së Inspektoratit të Arsimit, Hidajete Vokshi kanë pritur 11 inspektorët e rinj të arsimit për Rajonet: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Mitrovicë, të cilët do të fillojnë punën nga muaji i ardhshëm.

Ministrja, Arbërie Nagavci ka uruar inspektorët për përzgjedhjen e tyre, ndërsa takimin e ka vlerësuar të rëndësishëm, për faktin se është përmbyllur suksesshëm një proces, jo edhe aq i lehtë, por që padyshim se do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë në arsim.

Ministrja Nagavci, ka inkurajuar inspektorët që të fillojnë punën me përkushtim të plotë, duke qenë se, Inspektorati i Arsimit është një mekanizëm i rëndësishëm për të shtyrë përpara politikat arsimore dhe reformat në arsim.

“Vetëm me Inspektorat të fuqizuar mund të arrijmë objektivat dhe rezultatet e nevojshme në arsim. Andaj, duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të përkushtuar për të arritur synimet tona”, ka thënë ministrja Nagavci.

Last modified: 28 Mars, 2025