Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kryetari i Komunës së Shtimës, Qemajl Aliu dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari kanë bërë inaugurimin e sallës së sportit të ShFMU “Idriz Ajeti” në Pjetërshticë të Shtimes, investim i Ministrisë së Arsimit në vlerë rreth 300 mijë euro.
Ministrja Nagavci tha se, është kënaqësi e veçantë dhe nder që gjendet në shkollën “Idriz Ajeti”, shkollë që mbanë emrin e veprimtarit të njohur të çështjes kombëtare, për të bërë inaugurimin e sallës së munguar për aktivitete sportive.
Ministrja gjithashtu theksoi se, duke pas parasysh rëndësinë e jashtëzakonshme të aktivitetit fizik, beson që krijimi i mundësive për këta fëmijë do të shërbejë për shëndetin e tyre fizik.
Kryetari Qemajl Aliu theksoi se, është kënaqësi e veçantë me qenë në një sallë kaq moderne në Pjetërshticë, një fshatë që ka dhënë shumë për vendin, ndërsa falënderoi ministren Nagavci për investimet në komunën e Shtimes.
Më pas, ministrja Nagavci, kryetari Aliu dhe deputeti Avni Dehari kanë vendosur gurthemelin e çerdhes së re dhe aneksit të shkollës “Bajram Curri” në Petrovë.
Ndërtimi i çerdhes në fshatin Petrovë është projekt në vlerë 1,157,656 euro, me një sipërfaqe 1400 metër katrorë, ndërsa rinovimi dhe aneksimi i objektit të shkollës është projekt në vlerë 1,444,827.85 euro dhe pritet të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2026.
Pas vendosjes së gurthemelit për objektin e çerdhes në fshatin Petrovë, ministrja Nagavci ka thënë se investimi në arsim është investimi më i duhur për të ardhmen e vendit.
Shuma totale e investimeve të MASHTI në Shtime, në 4 vitet e fundit është gjithsej 4,533,881.20 euro.
Last modified: 21 Janar, 2025