Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci ka marrë pjesë në përmbylljen e projektit rajonal “Sigurimi i cilësisë për punën e koordinatorëve përgjegjës për marrëdhëniet me biznesin” 2022-2024. Roli i këtij projekti ishte kyç në përmirësimin e marrëdhënieve midis institucioneve arsimore dhe sektorit privat.
Ministrja, Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, ky projekt ka pasur cilësinë, kryefjalë të punës së tij, duke u fokusuar në zhvillimin e atyre që koordinojnë të gjitha hallkat e procesit, ndërsa bëri të ditur se, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit prioritet kryesor gjatë këtij mandati kanë pasur ngritjen e cilësisë së arsimit në tërësi, ku pavarësisht sfidave, janë arritur risi konkrete në sistemin e arsimit dhe aftësimit profesional sa i përket zbatimit të mësimit dual.
Ministrja Nagavci tutje tha se, në vitin 2022 është filluar me 4 profile të zbatimit të mësimit në praktikë, teksa tani janë 12 profile në 25 shkolla dhe në 14 komuna, gjithsej me 1607 nxënës. Ajo po ashtu tha se, përgjatë dy viteve të operimit, projekti ka kontribuar në ngritjen e cilësisë së arsimit profesional në Kosovë dhe në dy vendet tona fqinje, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci përmendi shtrirjen gjeografike të projektit në Kosovë, ku janë përfshirë komunat si: Prishtina, Peja, Prizreni, Shtimja, Malisheva, Vitia, Gjilani, Podujeva dhe Istogu. Në fund, ministrja Nagavci vlerësoi se ky projekt ka qenë jashtëzakonisht efikas dhe dobiprurës për të gjithë.
Ambasadori i Austrisë, Georg Schnetzer tha se, që nga fillimi arsimi i lartë dhe aftësimi profesional kanë qenë prioritet numër një për bashkëpunimin në mes dy vendeve tona. Ai tha se, bashkëpunimi në këtë sektor të rëndësishëm shkon shumë më lartë se sa koordinimi i përpjekjeve për zhvillim të Agjencisë për Arsim dhe Ndërkombëtarizim (OeAD).
Ndërsa, udhëheqësja e Departamentit OeAD, Elisabeth Augustin tha se, në emër të Ministrisë së Arsimit të Austrisë, misioni i kësaj Agjencie është që të ndihmojë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre drejt aderimit në BE, në harmoni me Strategjinë e shtetit Austriak dhe vizionin për Ballkanin Perëndimor, si dhe do të përqendrohet në ofrimin e mbështetjes sistemore dhe të qëndrueshme në këto procese.
Last modified: 17 Dhjetor, 2024